Vendosni fjalën kyçe....

Rusia gjobit “Google”-in me 98 milionë dollarë: Nuk fshiu përmbajtjet e paligjshme


Një gjykatë në Moskë ka gjobitur “Google”-in me 7.2 miliardë rubla (98 milionë dollarë) pasi nuk ka fshirë përmbajtje të konsideruara të paligjshme në Rusi.

Detajet e përmbajtjes fyese nuk janë specifikuar në njoftimin e shërbimit për shtyp të gjykatës.

Kjo është hera e parë në Rusi që një gjigant teknologjik goditet me gjobë bazuar në xhiron e tyre vjetor, gjë që rrit masën e gjobës. Megjithatë gjykata nuk e specifikoi se sa e lartë është kjo përqindje.

Google i tha agjencisë së lajmeve AFP se do të studionte vendimin e gjykatës përpara se të vendoste për hapat e mëtejshëm.

BBC shkruan se autoritetet ruse kanë rritur presionin ndaj firmave të teknologjisë këtë vit, duke i akuzuar ato për mos moderimin e duhur të përmbajtjes së tyre dhe për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.

Disa orë pasi u shpall vendimi për Google-in, një gjobë prej 2 miliardë rubla iu dvu edhe Meta-s, kompanisë mëmë të Facebook, për shkelje të ngjashme të lidhura me përmbajtjen.

Në fillim të kësaj jave, “Twitter”-it iu dha gjithashtu një gjobë prej 3 milionë rublash për akuza të ngjashme.

Kjo nuk është përballja e parë e Google me autoritetet ruse mbi ligjet e përmbajtjes. Në maj, mbikëqyrësi i medias ruse kërcënoi se do të ngadalësonte shpejtësinë e Google nëse nuk arrinte të fshinte 26 mijë raste të përmbajtjes së paligjshme, të cilat sipas tij lidhen me drogën, dhunën dhe ekstremizmin.

Presidenti Vladimir Putin ka nxitur zhvillimin e të ashtuquajturit internet sovran, i cili do t’i jepte qeverisë më shumë kontroll mbi atë që qytetarët e saj mund të kenë akses.

Kritikët kanë akuzuar Rusinë për përdorimin e fushatës për të shtypur fjalën e lirë dhe mospajtimin online.

Rregullatori i medias në vend ka bllokuar dhjetëra faqe interneti të lidhura me liderin e burgosur të opozitës Alexei Navalny, grupet e fushatës së të cilit janë etiketuar “ekstremiste”.

Google dhe Apple u detyruan gjithashtu të hiqnin një aplikacion kushtuar fushatës “Smart Voting” të Navalny, i cili u jepte përdoruesve këshilla për votimin taktik për të rrëzuar politikanët e lidhur me Kremlinin.