Vendosni fjalën kyçe....

Skuqi i përgjigjet Nanos ku ndryshon Norvegjia me Shqipërinë: Të dhënat personale nuk janë një dorë të vetme, ashtu si tek E-Albania


Gazetari Telnis Skuqi ka reaguar pas një artikulli të analistit Mustafa Nano mbi publikimin e të dhënave personale, ku shprehej se këtë lloj transparence nuk e sheh si skandal, ndërsa i referohet rastit të Norvegjisë që një gjë e tillë është lejuar prej kohësh.

“Publikimi i të dhënave financiare të shqiptarëve mua nuk m’u duk skandal, por kureshtare, madje edhe e dobishme, sepse bëhet transparente diçka që duhej bërë transparente. Kjo lloj transparence, në Norvegji, garantohet prej kohësh. Secili norvegjez është i lejuar, ka mundësi të ketë akses te të dhënat financiare të secilit norvegjez tjetër, kushdo qoftë ky i fundit, që nga personaliteti më i rëndësishëm publik, e deri te njeriu më i thjeshtë. Madje, deri para disa vitesh, çdo norvegjez mund të depërtonte, mund të futej në rrjetin ku ishin këto të dhëna edhe nga një adresë anonime.”- shprehej Nano në një analizë të publikuar në gazetën Panorama, duke sjellë mjaft reagime. Ai shprehej gjithashtu se Nga kjo transparencë, norvegjezët nuk i ka gjetur asgjë e keqe.”

Por Skuqi nuk ndan të njëjtin mendim. Gazetari thotë se ky krahasim nuk qëndron pasi në Norvegji të gjitha të dhënat personale janë tek numri personal që e administron vetë individi dhe të gjitha shërbimet online janë të ndara, të sigurta dhe të aksesueshme, po kurrë në një dorë të vetme, ashtu siç ndodh në Shqipëri në portalin E-Albania.

“Pra Mustafa Nano, në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Të gjitha të dhënat senstitive që ishin përqëndruar tek E-Albania u përvetësuan lehtësisë nga një individ, sepse mënyra se si e ofronte shërbimin ishte në shkelje të hapur me protokollin e sigurisë.”– shkruan gazetari.

Skuqi ngre disa pikëpyetje, se për çfarë arsye mund t’i duhen portalit E-Albania këto të dhëna senstitive, si targat e makinës, të dhënat penale apo tatimore.

KOMENTI I PLOTË I SKUQIT

Më çuditi shumë këndvështrimi i analistit Mustafa Nano, lidhur me publikimin e të dhënave personale, sidomos ku bëri krahasimin me Norvegjinë.

Unë kam shtatë vite që punoj dhe jetoj në këtë tokë të bekuar, por sot e kësaj dite ende nuk jam i informuar se sa fiton ime shoqe. E kam të ndaluar me ligj të pyes nënën e tre fëmijëve të mi, apo ajo të më pyesi mua.

Transparenca e pagave lejohet vetëm në administratën publike për personat që janë emëruar politikisht, ndërsa për të gjitha pozicionet e tjera publikohet vetëm paga si referencë, por kurrë punëmarrësi.

Ndryshe nga Shqipëria, shteti kurrë nuk kërkon që individi të ofrojë të dhëna personale ku kërkon një shërbim, përkundrazhi shteti ofron shërbimin, ndërsa individi përdorë të dhënat personale për të përfituar nga shërbimi, plus këto shërbime nuk janë të përqëndruar në një dorë, ashtu si E-Albania, kjo për të parandaluar rrjedhjen e informacionit, si dhe për të mbrojtur individin nga gabimet njerëzore.

Pra Mustafa Nano, në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Të gjitha të dhënat senstitive që ishin përqëndruar tek E-Albania u përvetësuan lehtësisë nga një individ, sepse mënyra se si e ofronte shërbimin ishte në shkelje të hapur me protokollin e sigurisë.

Për ta thjeshtëzuar këtë megaskandal, shtetit norvegjez nuk i duhet fare karta ime personale, apo karta ime e punës.

Për të përfituar një shërbim nga administrata publike, kodin numerik që ndryshon sa herë futem me numrin tim personal, nuk e ofron shteti, por banka, ndërsa password-in e përvetësoi vetë.

Ndërsa E-Albania bënë veprimin e kundërt. Përpara se të të ofrojë kodin unik numerik kërkon kartën tënde.

Pse?

Për çfarë i duhen E-Albania këto të dhëna senstitive?

Çfarë lidhje ka E-Albania me targat e makinës tënde, ku ti je regjistruar tek Drejtoria e Transportit?

Për çfarë i duhen E-Abania të dhënat e tuaja penale, ku fare mirë mund t’i kërkosh tek Ministria e Drejtësisë?

Për çfarë i duhen E-Albania të dhënat tatimore, ku fare mirë mund ta marrësh këtë shërbim tek Drejtoria Tatimore?

Pse këto të dhëna senstive janë përqëndruar të gjitha në një dorë tek E-Albania?

Prandaj, Norvegjia nuk ka frikë nga transparenca, sepse të gjitha të dhënat personale janë tek numri im personal që i administroj vetëm unë, por të gjitha shërbimet online janë të ndara, të sigurta dhe të aksesueshme, po kurrë në një dorë të vetme, ashtu si E-Albania.