Detaje të reja janë zbardhur nga policia lidhur me vrasjen e biznesmenit Behar Sofia më 25 shkurt të këtij viti.
Në një njoftim për mediet, uniformat blu bëjnë me dije se pas hetimeve të kryera është bërë i mundur identifikimi i bashkëpunëtorit të autorit në vrasjen e 66-vjeçarit.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin Bujar Leza, 45 vjeç, banues në Larushk, Krujë.
Mësohet se ky person ndodhej prej 3 muajsh në ambientet e burgut të Fushë Krujës, i paraburgosur për veprën penale “Dhuna në familje”. Dyshimet janë se 45-vjeçari ishte koordinator mes porositësve dhe vrasësve me pagesë.
Kujtojmë se biznesmeni Behar Sofia, u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë.
Autori ishte i veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID dhe pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.
Autori kryesor i dyshuar për vrasjen është identifikuar si Ernejt Shyti, 24-vjeç, i cili ka pranuar krimin. Lidhur me këtë ngjarje janë arrestuar gjithashtu si bashkëautorë të vrasësit edhe Xhuljano Visha 28 vjeç, Leonard Xhixha 30 vjeç dhe Skënder Vathi 54 vjeç.
INFORMACIONI I POLICISË
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më 25 shkurt 2021.
Identifikohet bashkëpunëtori i autorit të vrasjes së shtetasit B. S.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 45-vjeçarin.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, në drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 25 shkurt 2021, ku u vra me armë zjarri shtetasi B. S., 66 vjeç, si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara është bërë i mundur identifikimi i bashkëpunëtorit në këtë vrasje.
Bazuar në provat e grumbulluara, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin B. L., 45 vjeç, banues në Larushk, Krujë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë kanë bërë ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj këtij shtetasi, në ambientet e burgut të Fushë Krujës, i cili ndodhet i paraburgosur për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të shtetasit B. L., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.