Grabitet banesa e artistes së madhe shqiptare Vaçe Zela. Të paktën kështu ka raportuar këtë të hënë Gazetasi.al, e cila duke iu referuar burimeve policore thotë se disa persona ende të paidentifikuar, janë futur në banesën ku jetonte e ndjera Vaçe Zela në Tiranë me vajzën e saj.
Denoncimi thuhet se u dorëzua nga motra e ikonës së këngës shqiptare, e cila kujdesej për banesën në fjalë, pasi aty nuk banonte njeri.
Midis sendeve me vlerë të vjedhura, gazeta shkruan se bën pjesë edhe një dekoratë e dhënë për këngëtaren nga Presidenti i Republikës.
“Rreth orës 19:45 shkova në shtëpi si përherë dhe vura re se dera nuk ishte e kyçur, por u hap menjëherë sapo e preka. Hyra brenda dhe pashë rrëmujë, rrobat i kishin hedhur përtokë, ndaj menjëherë njoftova fqinjën në katin sipër që lajmëroi policinë.” – ka thënë motra e këngëtares.
Policia ka kërkuar kamerat e sigurisë në zonën rreth shtëpisë, por deri tani autorët nuk janë gjetur.
Ndërkohë sipas “Balkanweb” thuhet se autorët kanë arritur të hapin derën e banesës së këngëtares me kartë. Grabitja e banesës së këngëtares ka ndodhur këtë fundjavë.
Kujtojmë se ikona e muzikës shqiptare Vaçe Zela është ndarë nga jeta në shkurt të vitit 2014 në Zvicër.