Vendosni fjalën kyçe....

Importet e energjisë arrijnë rekordin e 223 milionë eurove deri në mes të dhjetorit


Kompania publike e shpërndarjes ka ulur sasinë e energjisë që po siguron në treg për plotësimin e konsumit në vend duke bazuar një pjesë të mirë të tij tek energjia që merr nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe prodhuesit me përparësi të energjisë.

Në dhjetor janë zhvilluar vetëm dy procedura ku në njërën fondi për blerjen ka arritur 8 milionë euro dhe në tjetrën pak më shumë se 1.5 milionë euro. Vlera kumulative e importeve të energjisë përgjatë gjithë vitit arriti në 223 milionë euro ku importet më të larta rezultojnë në tetor dhe nëntor me mbi 65 milionë euro, ndërsa shtatori, kur ishte edhe fillimi i asaj që u nënvizua si krizë, rezultoi 44 milionë euro.

Aktualisht vendi është nën emergjencën e furnizimit me energji elektrike, gjendje që mbetet në fuqi deri në 15 prill të vitit të ardhshëm. Vendimi i qeverisë që shpalli këtë gjendje vendosi edhe një sërë kushtesh të tjera për kompanitë e energjisë në vend ku si fillim pezullimin e investimeve nga të tre operatorët e energjisë me përjashtim atyre shumë të nevojshme, po kështu operatorët do të koordinohen me njëri-tjetrin për të siguruar sasinë e nevojshme të energjisë. Aktualisht KESH dhe OSHEE po koordinohen në baza ditore sa i takon nevojës që ka vendi për energji.

KESH nga ana tjetër është autorizuar që në kushtet aktuale të lidhë kontrata për depozitim energjie çka do të thotë që në një periudhë me shumë prodhim të japë energji dhe kur të ketë nevojë ta marrë këtë. Një marrëveshje të tillë Shqipëria e ka pasur aktive me Kosovën duke alternuar prodhimin hidrik tonin me termocentralet në palën tjetër. Po kështu KESH është autorizuar që sipas mundësisë të marrë me qira asete gjeneruee termike për të përballuar situatën e krijuar me energjinë.

Për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike qeveria ka miratuar garanci për 200 milionë euro që janë në funksion të sigurimit të energjisë për këtë vit dhe për fillimin e vitit të ardhshëm.

Çmimi i energjisë në tregun e lirë u trefishua në tetor

Çmimet e energjisë në muajin tetor gati u trefishuan në tregun e lirë. Enti Rregullator i Energjisë miratoi një çmim rreth 33 lekë për kwh për llogari të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (pjesë e OSHEE Group), tarifë e cila shërben për të llogaritur faturat për ata që janë furnizohen nga kompania publike me çmime tregu pasi ende nuk kanë një furnizues privat.

Tarifa e tetorit është një rekord i ri sa i takon çmimeve të energjisë në vend kur kompanitë publike dhanë alarmin se nuk ishte më çështje shtrenjtimi por mungese energjie në treg. Qysh nga nisja e procesit të liberalizmit të tregut të energjisë në shkurt 2018 ky është çmimi më i lartë me të cilën u sigurua energjia ndërkohë që më herët muaji me çmimin më të kripur ishte janari 2019 me një tarifë prej 18.73 lekë/kwh.

Bizneset ditëve të fundit janë alarmuar pas njoftimit që kanë marrë nga autoritetet se nga 1 janari 2022 do të duhet ta sigurojnë të vetëm energjinë. Bëhet fjalë për grupin që janë të lidhur kryesisht në 20 kilovolt që deri më tani e kanë marrë këtë energji nga OSHEE me një çmim 11 lekë/kwh dhe 12.65 lekë/kwh në pik. Çmimi aktual i tetorit me të cilën FMF (që do të furnizojë ato biznese që nuk gjejnë furnizues privat për dy vjet) është gati tre herë më i lartë se çmimi me të cilën ata paguajnë sot energjinë në tregun e rregulluar.

Kalimi në një fazë të re të liberalizmit të tregut të energjisë që nxjerr në treg mbi 7 mijë biznese shkaktoi reagimin e shoqatave të cilat kërkuan nga qeveria që të mbajë parasysh situatën dhe problematikat që hasin./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor