Kryeministri i Kosovës u është drejtuar me një mesazh qytetarëve lidhur me krizën energjitike që po kalon vendi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Albin Kurti thekson se kriza ka dy elementë, njëri prej të cilëve është është rritja e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar ndërsa tjetri ka të bëjë me dobësimin e kapaciteteve prodhuese të vendit.
Kreu i qeverisë thekson se në gjendje ku ndodhet vendi nuk ka zgjidhje të mirë, pasi ose duhet të reduktojë energjinë ose ta shtrenjtojë atë.
“Të dashur qytetarë, edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme. Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MWh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GË, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MW) termoelektranat tona nuk gjenerojnë as 650 MW! Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.” – shkruan Kurti.
Ai thekson më tej se ndër faktorët e brendshëm janë dy që kanë sjellë krizën. Mungesa e vizionit e planifikimit të sektorit të energjisë për furnizim të qëndrueshëm si dhe korrupsioni qeveritar, i cili ka çuar në provatizimin e rrjetit të shpërndarjes e furnizimit për një shumë prej 26 milionë eurosh.
“Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro. Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050.” – vijon Kurti.
Në fund, Kurti thekson se vendi është stabilizuar për sa i përket kufizimeve të energjisë falë shtimit të fondeve për blerjen e energjisë nga importi duke shtuar se qeveria po bën gjithçka për të mbajtur nën kontroll sitiatën.
“Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr. Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni. Përzemërsisht, Albin Kurti.” – mbyll reagimin kryeministri i Kosovës.
kurti