Gjykata e Tiranës ka vendosur sot të lërë në burg shtetasin izraelit Refael Genish dhe ekspertin e IT-së Eljon Firani, të cilët akuzohen për mashtrim kompjuterik me call center.
Ndërkohë sipas televizionit “News 24”, do të mbeten nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” 15 operatorë senior dhe junior, ndërsa 16 operatorë junior do të hetohen nën masën e detyrimit për paraqitje.
Kujtojmë se pronari izraelit i një kompanie “Call Center” dhe 34 persona të tjerë përfunduan në pranga në kuadër të një operacioni të koduar “Komunikimi”.
Sipas hetimeve, rezultoi se kompania në fjalë, ishte përshirë në një aktivitet kriminal në fushën e mashtrimeve kompjuterike, e cila kishte të bënte më mashtrimin e shtetasve të huaj nëpërmjet rrjetit kompjuterik.
15 nga operatorët junior, kishin nisur punën muajin e fundit dhe ishin të pasiguruar.
Sipas prokurorisë, operatorët junior kontaktonin shtetasit e huaj dhe u prezantonin faqen ku duhet të investonin. Në momentin që i huaji bindej, ata ia kalonin telefonatën operatorit senior. Ky e bindte viktimën të investonte fillimisht 500 euro dhe i jepte përqindjen e fitimit. Telefonatat vijonin dhe kur viktimën e bindnin të investonte shuma të mëdha, atëherë llogaria e tij në platformë zhdukej.
Prokuroria ka sekuestruar 51 mijë lista me nga 34 emra personash secila, që përdoreshin nga operatorët për t’u telefonuar.