Ka nisur që prej orës 12:00 në sheshin “Nënë Tereza” protesta e shoqërisë civile kundër detyrimit të vaksinimit të qytetarëve.
Ashtu siç kishte lajmëruar më herët në rrjetet sociale, avokati Altin Goxhaj është vendosur në shesh bashkë me turmën e qytetarëve duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për vendosjen e “Green Pass”-it pas datës 4 Janar, kjo sipas tij duke ndjekur modelin e studentëve.
“Bashkë Jemi Një! Ja ky është një Lajm!!! Shi pa shi unë do të jem sot më 12:00 aty ku duhet: në Sheshin Nënë Tereza për protestën paralajmëruese para fillimit të vendosjes së Green Pass në 4 Janar.”– shkruante më herët Goxhaj paraditen e sotme, para nisjes së protestës.
Gjatë fjalës së tij në protestën e sotme, Goxhaj ka argumentuar sesi mund të përballohet urdhri i qeverisë për detyrimin e vaksinimit për punonjësit e supermarketeve dhe ata të administratës publike.
“Studentët e fituan kauzën e tij. Pra ne kemi një histori suksesi sesi do ta bëjmë në datën 4 janar në përballjen mes qytetarëve dhe shtetit sa i përket vaksinimit. Pyetja është çfarë do bëjmë? Po diskutojmë dhe mbase sot është dita që do marrim disa vendime të cilat përfaqësojnë fatin tonë në 2022-shin për të gjithë shqiptarët.
Hapi i parë është në datën 4 janar për të gjithë punonjësit e supermarketeve dhe të administratës publike. Termi që ka përdorur qeveria është punonjësit e administratës publike. Unë si jurist e kam të vështirë të kategorizoj 100% këtë term, a janë pastruesit punonjës të administratës? Po janë. A janë punonjësit e ujësjellësve? Po. Pra nuk e dimë përcaktimin e plotë ku ka fuqi. Por nga informacionet e marra, është fakti se do të jetë në fuqi për 185 mijë shqiptarë.
Por duke llogaritur të paktën edhe dy anëtarë të familjes së tyre jemi përballë gjysmë milioni njerëzish që do të impaktohen të parët. Punonjësit e supermarketeve janë rreth 5 mijë. Pra jemi përballë gjysmë milioni njerëzish që ndodhen në presion.
Duke parë edhe shembullin e studentëve sesi dekurajuan të gjithë ushtrinë e vaksinatorët që nga dekanët e pedagogët dhe rojet e shkollave, duke parë se kjo ushtri ishte e demotivuar, e paaftë për të vepruar, qeveria ka shpikur një ushtri të re. Ushtria e punëdhënësve, si në administratë publike si në sektorin privat që janë qendrat tregtare dhe supermarketet. Cili është objektivi që u zgjodhën marketet dhe supermarketet? Shumë e thjeshtë që të mos arrijnë të futet askush i pavaksinuar brenda tyre, por këtë e bëjnë duke ua bërë të qartë si fillim punëdhënësve të tyre.
Në qendra tregtare ka edhe banka apo jo, dhe ne e dimë që kjo do aplikohet njëherë tek bizneset e mëdha, tek bankat dhe do aplikohet dalëngadalë. Kështu pak nga pak qeveria do e shtrijë detyrimin në të gjitha fashat, deri tek studentët të cilët nuk po e kuptojnë se pak nga pak po u vjen përsëri në derë çështja”– tha Goxhaj gjatë fjalës së tij.