Talebanët kanë vendosur që grave afgane që kërkojnë të udhëtojnë në distanca të gjata nuk duhet t’u ofrohet transport, përveç rasteve kur shoqërohen nga një i afërm mashkull.
Direktiva e re e bërë me dije të dielën, është frenimi i fundit mbi të drejtat e grave që kur grupi islamik mori pushtetin në muajin gusht të këtij viti.
Shumica e shkollave të mesme mbeten të mbyllura për vajzat, ndërsa shumica e grave janë ndaluar të punojnë.
Grupi i “Human Rights Watch” tha se kufizimi i ri shkon më tej se kthimit të grave në të burgosura.
Heather Barr, drejtoresha e asociuar e grupit për të drejtat e grave, i tha agjencisë së lajmeve AFP se urdhri i ri “i mbyll mundësitë grave që të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm” ose “të jenë në gjendje të ikin nëse përballen me dhunë në shtëpi”.
Direktiva e fundit, e nxjerrë nga Ministria e Talebanëve për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit, thotë se gratë që udhëtojnë për më shumë se 72 kilometra duhet të shoqërohen nga një anëtar mashkull i familjes.
“U ndjeva shumë keq.”– tha Fatima, një banore e Kabulit, për BBC-në. “Unë nuk mund të dal e pavarur. Çfarë duhet të bëj nëse unë ose fëmija im jemi të sëmurë dhe burri im nuk është në dispozicion?”
Ajo shtoi: “Talebanët na rrëmbyen lumturinë… Unë kam humbur edhe pavarësinë edhe lumturinë time”.
Dokumenti i qeverisë talebane u bën thirrje pronarëve të automjeteve që të refuzojnë udhëtimet e grave që nuk mbajnë mbulesë të fytyrës ose hixhabe islame, megjithëse nuk sqaron se çfarë lloj mbulese duhet të përdorin. Shumica e grave afgane tashmë mbajnë shami. Ai gjithashtu ndalon muzikën në automjete.
Që nga marrja e pushtetit pas largimit të forcave të SHBA-së dhe aleatëve, talebanët u kanë thënë shumicës së grave që të qëndrojnë në shtëpi ndërsa shkollat e mesme janë të hapura vetëm për djemtë dhe mësuesit meshkuj.