Vendosni fjalën kyçe....

“12 gjykata të shkallës së parë, 1 Apeli dhe 2 Administrative” – Çfarë përfshin harta e re e gjyqësorit


Këshilli i Lartë Gjyqësor prezantoi paraditen e sotme hartën e re gjyqësore, duke propozuar një një përgjysmim të gjykatave të rretheve dhe që të ketë vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë.

KLGJ pretendon se kjo hartë e re gjyqësore do të ketë një efekt pozitiv për qytetarët, pasi ata do t’i marrin shërbimet në një kohë më shkurtër.

 

Kështu, sipas propozimit përfundimtar, gjykata të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë dy, një në Lushnjë dhe tjetra në Tiranë. Nga 36 gjykata që ishin në total, me hartën e re do të operojnë vetëm 15 të tilla. 

Konkretisht nga 22 gjykata të shkallës së parë mbeten funksionale vetëm 12 të tilla duke shkrirë dhjetë të tjera, ato në: Pogradec, Kurbin, Tropojë, Pukë, Mat, Krujë, Kavajë, Lushnje, Përmet e Sarandë. Ndërsa Gjykatat e Apelit në Korçë, Durrës, Gjirokastër, Vlorë e Shkodër pritet të shkrihen për të lënë funksionale vetëm atë të Tiranës.

“Koncepti ynë është më pak gjykata, më shumë cilësi. Qytetarët do na përkrahin në këtë reformë që t’i shkojmë deri në fund. Jemi të hapur për të diskutuar shqetësime që janë parimore, por nuk duhet të na pengojnë në gjetjen e zgjidhjeve. Këto vendime të vështira duhet t’i marrim të gjithë bashkë. Jemi të hapur për të diskutuar këtë propozim që grupi i punës e ka bërë për të rritur eficiencën në gjykatat tona.”- është shprehur kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami.

I pranishëm në prezantim ishte edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili u shpreh se harta e re gjyqësore do të afrojë gjykatat me njeriut, do të rrisë cilësisë dhe se do të bëjë që të përdoren më mirë burimet publike.

Mirëpo shumë shpejt harta e re gjyqësore është përballur me kritika. Një ndër kritikuesit është edhe drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Andi Dobrushi. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan: “Nuk mund të ketë drejtësi PËR qytetarin LARG qytetarit! Harta e re e gjyqësorit rrezikon zbatimin e reformës në drejtësi.”

Harta e re gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor:

  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit).
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës(bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës).
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës).
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit).
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës).
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit).
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit).
  • Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër (bashkuar me Gjykatën e Pukës).
  • Ndërkohë për sa i përket gjykatave administrative, KLGJ propozon që të ketë vetëm 2: Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Lushnje.
  • Ndërkohë do të ketë dhe një gjykatë Administrative Apeli.
  • Lidhur me këtë propozim nga KLGJ pritet që të japë mendim dhe qeveria e më pas për miratim do duhet të kalojë për miratim në Kuvend.