Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës ka hapur këtë fundvit ankandin për shitjen e mbi 40 mijë ton naftë.
Ky është ankandi i dytë i Albpetrol pas atij të mbajtur në muajin prill kur u bë shitja e 100 mijë tonëve. Në njoftimin e bërë nga kompania bëhet me dije se sasia e saktë e shitjes është 40 194 tonë naftë brut dhe ankandi zhvillohet në datën 29 dhjetor 2021. Në rast shpalljeje të një fituesi dokumentet specifikojnë se evadimi duhet të bëhet brenda 8 muajsh.
Sipas njoftimit vlera fillestare do të llogaritet në bazë të një formule standard.
“Në kushtet FOB është: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 73.88 % e Çmimit Brent + K
- b) Në pikat e lëvrimit: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 73.88 % e Çmimit Brent – 2.94 USD/bbl + K
– 73.88 % është koefiçenti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, aciditeti i naftes, % e squfurit). – Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik. – 2.94 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim). – K- eshte vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K ˃ 0)” sqarohet në dokumentet e ankandit.
Të njëjtat detajojnë se vendndodhja e naftës brut është në Albpetrol sha Patos: Në pikat e lëvrimit Stacioni Usoje, Stacioni Visoke, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçovë, Stacioni Amonice.
Nëse ankandi i Albpetrol rezulton i suksesshëm atëherë kjo do të jetë e dyta herë për këtë vit që merret një ofertë ekonomike pas asaj të prillit kur u njoftua për një shitje të 100 mijë tonëve naftë me një vlerë të përafërt ptej 3.5 miliardë lekë apo rreth 27 milionë euro. Përgjatë vitit 2020 edhe pse pati një sërë tentativash nga ana e kompanisë për shitje të naftës brut shumica prej tyre dështoi duke e vënë atë në vështiësi ekonomike.
Situate e pandemisë në vitin 2020 vuri në pozitë të vështirë thuajse gjithë sektorët përfshirë nxjerrjen e naftës ndërkohë që rimëkëmbja gjatë 2021 e ekonomisë globale ka rritur interesin për naftën dhe ka dhënë sinjale përmirësimi. Por kjo mbetet për t’u parë nëse do të reflektohet me një rritje të interesit edhe për naftën brut në vend. /N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor