Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori turk me Ramën në Kurbin: Krenar që e realizuam në një kohë rekord, 522 apartamente për familjet e prekura nga tërmeti


Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Kurbin, për t’u dorëzuar çelësat e banesave të reja mbi 500 familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të 2019-ës.

Në këtë ceremoni është i pranishëm edhe ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük.

“Aty ku nga rrënojat dhe terri i dëshpërimit prej pabesisë së tërmetit, ka lindur shpresa plot dritë e një jete të re për 500 familje, të cilat kthehen në banesa të reja për ta gëzuar Vitin e Ri familjarisht, në një strehë të bukur e të sigurtë, brenda një lagjeje të bukur europiane.”– shkruan Rama në videon e transmetimit të drejtpërdrejtë.

Ambasadori turk gjatë fjalës së tij tha se ishte krenar që projekti i realizuar me donacionet e vendit të tij ishte arritur në një kohë rekord.

“Vetëm një vit pas ceremonisë së hedhjes së themeleve ka përfunduar ky projekt gjigant me 522 apartamente që kanë kushtuar 42 milionë Euro.

Kështu që ne këtu kemi krijuar një hapësirë banimi krejt të re, për një jetë më të mirë dhe shumë clësore në qytetin e Laçit, me apartamente, me shkolla si dhe njësi tregtare.

Koha e përfundimit të këtij projekti në fakt është një kohë rekord e njëjtë si spitali Turqi-Shqipëri në Fier. Është krenari për vendin dhe kombin tonë që një projekt kaq i madh dhe gjigand të përfundojë në një kohë kaq të shkurtër, megjithëse në kushte të jashtëzakonshme të epidemisë globale në të cilën ndodhen të tjerë.”- u shpreh ambasadori Murat Ahmet Yörük.