Vendosni fjalën kyçe....

BE paralajmëron se marrëdhënia me Zvicrën është në prag krisjeje


Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësime për një prishje të mundshme të marrëdhënieve me Zvicrën lidhur me rregullat e tregut të brendshëm të BE-së.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Maros Sefcovic i ka thënë gazetës “Der Spiegel” se marrëdhënia e bllokut me Zvicrën rrezikon të bëhet “e vjetëruar” nëse të dy palët nuk adresojnë dallimet e tyre mbi rregullat e tregut të brendshëm.

Ndërsa në një intervistë me gazetën gjermane, Sefcovic, i cili mbikëqyr çështjet BE-Zvicër, paralajmëroi se ishte vetëm çështje kohe përpara se marrëveshjet dypalëshe në fuqi të skadonin.

Në maj, negociatat me Zvicrën dështuan kur qeveria zvicerane kërkoi të hapte “një kapitull të ri” me BE-në, duke hequr dorë nga një projekt-traktat i vitit 2018 që kishte qenë objekt i bisedimeve në vazhdim.

“Ne duhet urgjentisht të dimë nga Zvicra nëse ajo dëshiron seriozisht të negociojë me ne.”– tha Sefcovic, citon RT. Ai shtoi se “Ne duhet të dimë se për çfarë duam të flasim kur, në mënyrë që të jetë e qartë se diskutimi nuk do të zgjasë 20 apo 30 vjet.”

Zyrtarët zviceranë kanë pohuar më parë se qeveria e tyre dhe BE-ja janë të ndara në lidhje me rregullat për lëvizjen e lirë, qytetarët e BE-së që mund të kenë përfitime në Zvicër dhe ndihmën shtetërore, duke penguar marrëveshjen që po kërkonte Brukseli.

Pavarësisht këtyre dallimeve, Zvicra megjithatë ka shprehur interesin e saj të vazhdueshëm për të mbetur e lidhur me BE-në, duke i kërkuar së fundmi parlamentit të vendit të zhbllokojë 1.3 miliardë franga zvicerane (1.05 miliardë dollarë) në “pagesat e kohezionit” për anëtarët e Bashkimit Evropian. Pagesat fillimisht u ndaluan në vitin 2019 mes një mosmarrëveshjeje mbi rregullat e tregut të aksioneve.

Marrëdhëniet midis BE-së dhe Zvicrës mbahen nga më shumë se 100 marrëveshje dypalëshe që datojnë që nga viti 1972. Dështimi për të ecur përpara me negociatat mund të rrezikojë vendin e Zvicrës në tregun e përbashkët të BE-së dhe të ndikojë në aftësinë e saj për të siguruar mallra dhe shërbime nga shtetet anëtare.