Paraditen e sotme fermerët e fshatit Kafaraj në Fier janë ngritur në protestë, pasi kërkojnë të dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit.
Ata u mblodhën përpara bashkisë ku më pas zhvilluan edhe një takim me kryebashkiakun Armando Subashi, të cilit i paraqitën një peticion dhe kërkesë për kompensimin e dëmeve që shkaktuan përmbytjet. Fermerët shprehen se askush nuk ka shkuar për t’u vlerësuar dëmet.
Kreu i sindikatës së fermerëve të bashkuar Eduart Sharka, tha se vlera e dëmit shkon rreth 300 milionë lekë dhe sipas ligjit një pjesë kërkohet të dëmshpërblehet nga bashkia.
“20 ditë pas përmbytjes nuk erdhi asnjë komision për të verifikuar dëmet dhe më pas për të bërë kompensimet. Ne i kërkuam kryetarit që të bëjë vlerësimin për dëmet dhe më pas të bëhet dëmshpërblimi. Kryetari i Bashkisë na sqarojë se shumë shpejt do sqarojnë ligjin sepse nuk e kishin të qartë bashkia për procedurën që do ndiqen dhe tha se lekët në buxhet janë dhe nëse e lejon ligji do ngrihet komisioni për verifikimin e dëmeve dhe për të bërë më pas dëmshpërblimin.”– u shpreh kreu i sindikatës së fermerëve të bashkuar Eduart Sharka, pas takimit me Subashin.
Prej përmbytjeve të 12 dhjetorit u dëmtuan rreth 62 fermerë në Frakull dhe Kafaraj.