Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli nuk do kundërshtojë një marrëveshje “të mirë” bërthamore me Iranin


Kryeministri izraelit, Naftali Bennett tha se nuk kundërshton një marrëveshje “të mirë” bërthamore ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore, edhe pse shprehu skepticizmin e tij se bisedimet, që rinisën këtë javë në Vjenë, do të mund të sjellin një rezultat të tillë.

“Në fund të ditës, patjetër që mund të arrihet një marrëveshje e mirë”, tha Bennet për një radio izraelite.

“Por, në këtë moment, në këto rrethana a pritet që një gjë e tillë të ndodhë? Jo, sepse kërkohet një qëndrim më i ashpër”, shtoi ai.

Izraeli nuk është pjesë e bisedimeve që po mbahen në Vjenë e që kanë për qëllim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore. Ky shtet ka kundërshtuar këtë marrëveshje, pasi ka thënë se nuk ka qenë aq e fortë për ta frenuar aktivitetin bërthamor të Teheranit, shkruan REL.

Rundi i tetë i bisedimeve për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore nisi më 27 dhjetor në Vjenë.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga kjo marrëveshje më 2018 dhe rivendosën sanksione ndaj Republikës Islamike.

Irani, që pretendon se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile, që prej tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, gradualisht ka nisur të shkelë parimet e marrëveshjes, duke pasuruar uraniumin përtej kufizimeve të lejuara në paktin bërthamor.

Teherani ka thënë se rundi i tetë i bisedimeve duhet të fokusohet në heqjen e sanksioneve amerikane dhe të marrë “garanci” se Uashingtoni, që në këto bisedime merr pjesë në mënyrë indirekte, t’i ribashkohet marrëveshjes.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 kishte për qëllim kufizimin e programit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.