Një 22-vjeçar është ndaluar nga policia e Tiranës pasi është në kërkim nga drejtësia holandeze.
Në pranga ka rënë i riu me iniciale M.A., banues në Belgjikë teksa përpiqej të futej në Shqipëri.
I riu nga Kosova është në kërkim në Holandë ku akuzohet për vrasje, vjedhje me dhunë e pastrim parash. Pas arrestimit personi në fjalë pritet të ekstradohet.
Njoftimi
“Policia Kufitare e Rinasit vë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e zbatimit të ligjit të Holandës. Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i shtimit të kontrollit për verifikimin e dokumentacionit të qytetarëve në hyrje dhe në dalje, me qëllim kapjen e personave në kërkim, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, ndaluan shtetasin M. A., 22 vjeç, banues në Belgjikë. Ky shtetas u kap në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, rezultoi se ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Holanda, për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’, ‘Vjedhja me dhunë’, ‘Pastrim parash’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës’, parashikuar nga Kodi Penal i Holandës. Personi në kërkim ndërkombëtar u dërgua në ambientet e paraburgimit të DVP Tiranë, në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”