Vendosni fjalën kyçe....

Klodian Zoto në kërkim por Ministria e Infrastrukturës i jep 62.7 milionë lekë për inceneratorin e Fierit


Edhe pse është shpallur në kërkim për pastrim parash dhe korrupsion, Klodian Zoto vijon të marrë para nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Vetëm pak ditë më parë, konkretisht me 15 dhjetor të këtij viti kompania e Zotos ka marrë 62.7 milionë lekë si këst të radhës për të menaxhuar mbetjet urbane të qytetit të Fierit.

Incineratori i Fierit vijon të marrë para nga buxheti i shtetit edhe pas shpalljes në kërkim të një prej administratorëve të saj, Klodian Zotos.

Vetëm një ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Leftar Koka, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer një transfertë me vlerë 62.7 milionë lekë kundrejt kompanisë Integrated Technology Waste Treatment Fier Sh.p.k. që menaxhon mbetjet urbane të qytetit të Fierit.

Po më 14 dhjetor u shpall në kërkim edhe Klodian Zoto, por në llogarinë e kompanisë së tij, më 15 dhjetor ka kaluar edhe pagesa e radhës për menaxhimin e mbetjeve në Fier.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, incineratorit të Fierit i janë dhënë deri tani 2.2 miliardë lekë.
Sipas verifikimeve të kryera, Klodian Zoto rezulton të jetë larguar nga Shqipëria në datën 1 dhjetor.

Ndaj tij, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për veprat penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë’, kryer në bashkëpunim dhe ‘Pastrimi i parave’.

Kompania në pronësi të tij është vendosur nën sekuestro preventive nga SPAK, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Por Koka dhe Zoto nuk janë të vetmit të përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve.

Më 21 tetor LSI ka depozituar një padi në SPAK për incineratorin e Fierit, me të akuzuar kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashi, ish-ministrin Lefter Koka dhe deputetin Alqi Bllako.

Sipas padisë së LSI, landfillit iu dha më shumë tokë nga parashikimi fillestar, iu shty afati si dhe nuk u pyet komuniteti i zonës.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Ora News