Vendosni fjalën kyçe....

Lukashenko propozon ndryshimin e Kushtetutës, mund të lejojë vendosjen e armëve bërthamore në vend


Bjellorusia ka zbuluar Kushtetutën e re të propozuar, duke hapur mundësinë që vendi të vendosë armë bërthamore në territorin e saj dhe potencialisht duke i mundësuar udhëheqësit veteran Alexander Lukashenko të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2035.

Ndryshimet, të cilat u premtuan në vazhdën e trazirave që pasuan zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të vitit të kaluar, u lëshuan për debat publik të hënën.

Mes ndryshimeve të propozuara, duket se është hequr një pjesë në Kushtetutën aktuale që kërkon që vendi të qëndrojë jashtë konflikteve të mëdha gjeopolitike. Sipas versionit ekzistues, të modifikuar për herë të fundit në vitin 2004, Bjellorusia ‘synon ta bëjë territorin e saj një zonë pa armë bërthamore dhe shtet asnjanës’.

Megjithatë, në draftin e fundit seksioni është zëvendësuar nga një premtim që ‘përjashton agresionin ushtarak nga territori i tij kundër shteteve të tjera’, duke hapur spekulime se Minsku mund të lejojë vendosjen e armëve atomike brenda kufijve të tij.

Përveç kësaj, nëse miratohet, Kushtetuta e re do të sjellë kufizime për presidentët, duke i kufizuar ata në dy periudha pesëvjeçare në detyrë.

Megjithatë, një klauzolë në tekst përcakton se kjo vlen vetëm për ‘presidentët e sapozgjedhur’, gjë që potencialisht do t’i lejonte Lukashenkos të qëndronte në detyrë edhe për një dekadë tjetër pas skadimit të mandatit të tij aktual në 2025. Lukashenko ka qeverisur vendin e Evropës Lindore për më shumë se 27 vjet vjet.