Dy avokatë kanë paditur qeverinë lidhur me publikimin e listës së pagave. Avokatët Kujtim Cakrani e Arjon Besimaj e kanë depozitar padinë në gjykatë. Ata kërkojnë 100 mijë lekë shpërblim për publikimin e të dhënave, shkruan Shqiptarja.
“Të nderuar miq! Bashkë me kolegun av. A.B sapo dorëzuam në gjykatë kërkesë padinë kundër Qeverisë Shqiptare, Ministrisë Financave, AKSHI etj, objekti së cilës është;
Shpërblimi dëmit jopasuror si pasojë e nxjerrjes së të dhënave personale, pagat ID. Është një padi ku ndër të tjera çojmë në vend nderin dhe personalitetin tonë si qytetarë në radhë të parë dhe si juristë që kuptojmë çfarë do të thotë të nxjerrësh në publik të dhënat personale.” – thuhet në njoftimin e dy avokatëve.
Lista me pagat dhe të dhëna të tjera të qytetarëve doli pak ditë më parë. Ajo u pasua nga dalja e listës së targave të mjeteve. Lidhur me rastin e parë, prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim duke u zotuar se në përfundim të tij do ketë persona përgjegjës që do dalin para drejtësisë.
Kryeministri Rama nga ana e tij ka thënë se qeveria nuk ka përgjegjësi duke sjellë si shembuj daljen e të dhënave të qytetarëve nbë SHBA, Francë, Britani e gjetkë.