Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Laç: Kam dy vite që e pres këtë moment, kujdes mos ju ndërrojnë ngjyrën e bravave


Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Laç për t’i dorëzuar çelësin e banesave të Rindërtuara 520 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kishte dy vite që e priste këtë moment. Ai theksoi se bashkë me banesat e reja paralelisht është ndërtuar edhe një infrastrukturë nëntokësore për të shmangur problemin e përmbytjeve në qytet.

“Kam dy vite që e pres këtë moment sepse këtu ka qenë një nga plagët më të nxehta që hapi tërmeti. Janë shumë më tepër se kaq. Këtu ne kemi rindërtuar shkolla dhe vazhdojmë të rindërtojmë shkolla dhe kopshte. Jemi duke ndërtuar një lagje të re nga ana tjetër. 200 apartamente të tjera me buxhetin e shtetit.

Jemi duke ndërtuar spitale që shpresoj që në pranverë do të jetë gati. Kemi bërë ndërhyrje masive. Pasi edhe një shi vere përmbyste gjithë qytetin. Qyteti nuk pati asnjë problem sepse është ndërtuar një infrastrukturë nëntokësore për ta zgjidhur këtë problem. Po vazhdojnë të ndërtohen një sërë banesash individuale. Nuk ka kuptim të paguajmë kosto më të lartë për shkak të kompanive dhe do ia japim lekët në dorë familjeve që t’i bëjnë shtëpitë.”– tha Rama.

Mes të tjerash Rama shtoi se qytetarët e Laçit po futen në banesa më të mira se sa ishin, me standarde si në Tiranë por me ndryshimin e vetëm se do i marrin falas me dokumente pronësie. Ai nuk nguroi të bënte as batuta, duke i këshilluar qytetarët që po marrin banesat e reja që anëtarët e partisë tjetër (demokratët) të mos u ndërrojnë ngjyrën e bravave.

 “E kam pritur këtë moment. Që nga thashethemi që do i ndërtojnë por do na i japin me lekë. Ja ku jemi sot këtu. Këtë lagje që do donte ta kishte kushdo në Tiranë e keni ju. Ndryshe nga pallatet në Tiranë me këto standarde që kushtojnë shumë shtrenjtë, ju do i keni falas, me dokumente pronësie. Duke qenë se ju votoni masivisht atë partinë tjetër duhet të bëni kujdes se mos ju ndërrojnë bravat.

Ajo partia e shumicës. Aman ngrijini dy gishta se më mori malli nuk po shoh dy gishta askund. Banesat janë bërë për të gjithë të prekurit nga tërmeti. Për ata që duan të bëjnë foto me mua dhe për ata që ma lexojnë librin e shtëpisë sa kaloj në rrugët e Laçit. Rindërtimi është për të gjithë. Dhe si e kam thënë ditën e parë nga dheu do i nxjerrim lekët dhe ju do hyni në shtëpia më të mira se ato që keni pasur.”- tha Rama.