Southampton i Armando Brojës ia ka dalë të ndalë në barazim 1-1, Tottenham-in e Antonio Contes.
Fillimi i ndeshjes ishte më i mirë për vendasit të cilët patën disa mundësi, por ia dolën të konkretizonin vetëm në minutën e 25-të me anë të kapitenit Ward-Prose.
Mesfushori u tregua i saktë me një goditje të fortë brenda zonës duke mos i lënë asnjë shans portierit Hugo Lloris. Megjithatë, një episod që ndryshoi ekuilibrat ishte rezervuar për në minutën e 40, teksa Salisu shkaktoi faull brenda zonës ndaj Son.
Në këtë formë, u akordua penallti ndërsa mbrojtësi mori kartonin e dytë të verdhë dhe la të tijtë me një futbollist më pak. Kane nga ana tjetër, nuk fali dhe e ktheu në gol goditjen e tij nga 11-metrat duke rivendosur ekuilibrat. Sakaq, në fraksionin e dytë, Tottenham ishte më kërkues në fushë duke pasur edhe epërsinë numerike.
Madje, miqtë gjetëm edhe golin me anë të Kane, por festa e sulmuesit u ndal nga ana e VAR. ndërkohë, minuta e 71 ishte rezervuar për Armando Brojën, i cili me prekjen e parë të topit ia doli të përhapte panik në mbrojtjen kundërshtare.
Në vazhdim, Spurs tentuan të gjenin golin e avantazhit, mirëpo portieri Forster ishte i pakalueshëm. Për t’u përmendur në fund është edhe një mundësi e artë e Brojës, me goditjen e tij që ndalet vetëm nga një sparkatë e Sanchez.
Kështu, rezultati nuk ndryshoi ndërsa Tottenham mban vendin e gjashtë të klasifikimit me 30 pikë, ndërsa, Southampton është në vendin e 13 me 21 pikë.