Vendosni fjalën kyçe....

122 familje në Bubq futen në shtëpitë e reja, Rama: Janë 100 % falas me titull pronësie në hipotekë, vetëm kujdes bravat


Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bubq, për t’u dorëzuar çelësat e banesave të rindërtuara 122 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019.

Rama tha se lagjia e re kishte edhe ambiente kulturore për fëmijët dhe me hapësira për ta dhe të moshuarit, të cilat kryeministri i sugjeroi që ata t’i mirëmbajnë dhe t’i kthejnë në hapësira të bukura dhe të gjelbëruara. Ai nuk ngurroi përsëri të bënte batuta për bravat.

“Mirëmbrëma dhe t’i gëzoni shtëpitë, që me siguri shumica, për të mos thënë të gjithë ju në orët e para as nuk kishit fuqi të besonit se do ndërtoheshin, shtëpi që nuk ju japin ju banorëve të kësaj qyteze të re thjesht mundësinë e një strehe shumë më të mirë e më të sigurtë e më të bukur se ajo që humbët, por ju japin mundësinë e një jete të re në komunitet.

Kështu që një nga qëllimet e Programit të Rindërtimit është të nxjerrim më të mirën tonë por edhe të krijojmë mundësi më të mira se ato që kishin njerëzit përpara tërmetit, duke pasur parasysh edhe një kategori familjesh që humbën banesat në pika të ndryshme në zonën e fshatit ku ishin larg shërbimeve dhe nga ku fëmijët niseshin për të bërë rrugë jo të shkurtër për të shkuar deri në shkollë, nga ku më të moshuarit duhet të bënin rrugë për të marrë një shërbim administrativ apo një konsultim në qendrën shëndetësore, gjëra të cilat sot i kanë të gjitha këtu.

Këtu nuk janë vetëm 122 banesa për një komunitet të ri, me një insfrastrukturë që çdokush do donte ta kishte dhe që çdokush do donte ta kishte edhe në Tiranë për të mos thënë në vend tjetër, në shkollën e re mes 19-20 shkollave që janë ndërtuar dhe po ndërtohen të reja nga e para në Krujë dhe me qendrën e re administrative e cila do të ofrojë shërbimet për krejt këtë njësi administrative, por që do jetë në pjesën e pasme të oborrit për të gjithë ju këtu.

Me ambiente kulturore për fëmijët dhe me hapësira që unë uroj dhe ju nxis që ti ktheni në hapësira të bukura dhe të gjelbëruara, pasi banesat nuk kanë vetëm kubaturën e mureve por edhe oborr. Nëse kujdeseni si duhet të gjitha këto oborre të gjelbëruar do e bëjë edhe më të bukur se kjo që shohim sot.

Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë, është dashur kohë dhe mes nesh sot dhe në momentin ku ra ajo fatkeqësi, hyri në mes pandemia që na detyroi të ngujohemi si kurrë më parë në shtëpitë tona. bllokoi shumë kompani dhe krijoi vonesë për mbylljen e këtij procesi.

Ky proces nuk i ngarkon familjet me asnjë qindarkë për kredi sado të butë, por janë 100 % falas me titull pronësie në hipotekë ku secili mund të bëjë ç’të dojë. Vetëm kujdes bravat, ruhuni nga ndërrimi dhe bllokimi i bravave dhe nga çelësat, ky nuk është një program për socialistët por për shqiptarë që iu gjendëm pranë në një moment fatkeqësie. Për sa na takon të gjitha bravat janë të sigurta. megjithatë jam i sigurt se komshinjtë socialistë do i ndihmojnë fqinjët demokratë nëse u bllokohen bravat.”- tha Rama.