Vendosni fjalën kyçe....

Afera e inceneratorëve, Basha: Rama të ishte dorëhequr, kështu funksionon në një shtet normal


Në takimin e sotëm me demokratët e Dibrës, Basha është ndalur edhe te afera e inceneratorëve dhe arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Sipas Bashës në krye të kësaj afere qëndron kryeministri Edi Rama, i cili duhej të kishte dhënë dorëheqjen.

“Burgoset një nga ministrat që mbiemrin e ka Koka, por në fakt është bishti i kësaj afere. Në çdo rrethanë tjetër, çdo kryeministër sado pak normal do të ishte dorëhequr. Do ishte vënë në dispozicion të drejtësisë.

Në fakt ai ka bërë të kundërtën, ka marrë grupin e tij parlamentar dhe e ka çuar tek skena e krimit. E ka çuar tek inceneratorët për t’u bërë mburojë e një afere që i ka kushtuar dhe iu kushton shqiptarëve 430 milionë euro. Para të cilat vidhen, ndërkohë që qytetet tona mbulohen nga smogu, mbushen me plehra, sepse e gjitha nuk është veçse një skemë mashtrimi, vjedhje dhe shfrytëzimi.

Skandali i inceneratorëve, varfëria që ka pllakosur anembanë vendit, ekonomia në kolaps dhe së fundmi rënia e çdo institucioni janë shkaqe të mjaftueshme për t’i kërkuar çdo shqiptari pavarësisht bindjeve politike që të bashkohemi, të ngrihemi në këmbë dhe të kërkojmë atë që do të kërkonte çdo popull me një fije dinjitet: Largimin një orë e më parë të kësaj qeverie. Largimin një orë e më parë dhe vënien e saj para drejtësisë.”- tha Basha.