Një nga organizatat e fundit mediatike pro-demokratike në Hong Kong, po mbyllet pasi u bastis nga policia dhe stafi i saj u arrestua.
Shtatë punonjës aktualë dhe ish-punonjës të “Stand News” u arrestuan nga policia e Hong Kongut nën akuzat për “konspiracion për të botuar botime rebele”.
“Për shkak të situatës, Stand News po e ndërpret punën menjëherë.”- tha organizata në një postim në Facebook.
Siç shkruan BBC, më shumë se 200 oficerë policie u dërguan për të bastisur zyrën e botimit.
Policia e Hong Kongut tha në një deklaratë se ata ishin të autorizuar të “kërkonin dhe sekuestronin materialet përkatëse gazetareske”.
Në një postim në Facebook, Stand News tha se nuk do të përditësojë më faqen e saj të internetit dhe do të heqë përmbajtjen e saj të mediave sociale “brenda një dite”.
Në zyrën e gazetës u sekuestruan kompjuterë dhe dokumente që do të ndihmonin policinë në hetimin e tyre.
Të arrestuarit thuhet se janë tre burra dhe katër gra – të moshës nga 34 deri në 73 vjeç. Ata përfshijnë ish-kryeredaktorët dhe punonjësit, Chung Pui-kuen dhe Patrick Lam, si dhe yllin e pop-it, ikonën e demokracisë, Denise Ho, e cila ishte një ish-anëtare bordi. Anëtarë të tjerë të bordit Margaret Ng, Christine Fang dhe Chow Tat-chi ishin gjithashtu midis të arrestuarve. Identiteti i personit të shtatë të ndaluar nuk është bërë ende i ditur.