Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huaja nga kompanitë mëmë e ndërmarrjeve të huaja paraqitet e qëndrueshme gjatë këtij viti.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, detyrimet e borxhit të ndërmarrjeve të investimit direkt ndaj investitorëve direktë kanë pësuar një rënie të lehtë me 0.4%. Shifrat tregojnë se kompanitë e huaja mbështeten shpesh nga aksionerët jo vetëm me injektim kapitali, por edhe me huadhënie.
Mbështetja te huaja nga aksionerët mund të bëhet në rrethana dhe në qëllime të ndryshme. Në disa raste, kompanitë që nuk kanë një ecuri shumë të mirë të aktivitetit mund të mbështeten me linja financimi nga mëmat, sepse nuk mund të sigurojnë financime tregtare nga sektori bankar, ose sepse mund të kenë limite të mëdha ekspozimi në banka dhe e kanë të vështirë për të siguruar financime të mëtejshme. Një shembull i tillë është kompania Albtelecom, që është mbështetur vazhdimisht me hua nga grupi mëmë Çalik.
Në sektorë specifikë, siç është ai bankar, mbështetja me linja financimi, me kushte të favorshme, nga grupi bankar mëmë është një mekanizëm që mund të ndihmojë për të fituar pjesë tregu. Kjo formë e huadhënies është aplikuar sidomos para vitit 2008, kryesisht nga bankat me kapital grek.
Një rast tjetër mund të jetë kur për të financuar projekte të reja investimi mund të preferohet huamarrja nga aksionerët, sidomos kur janë grupe solide dhe me disponibilitet likuiditeti. Në këto raste, investitori mund të gërshetojë investimin në kapitalin e kompanisë bijë me huadhënien ndaj saj. Për shembull, investimi për ngritjen e hidrocentralit të Ashtës nga kompania Energji Ashta është bërë pjesërisht me hua të marrë nga njëri prej aksionerëve, kompania austriake Verbund.
Në disa raste, transaksionet në formën e blerjes së produkteve dhe shërbimeve nga aksionerët janë një mekanizëm që përdoret për transferimin e çmimit. Edhe huamarrja nga kompanitë mëmë mund të përdoret edhe si një formë e transferimit të çmimit, me qëllim sigurimin e fitimeve nga interesat e kredive.
Borxhet e kompanive të huaja ndaj aksionerëve të tyre në fund të shtatorit të këtij viti përbënin më shumë se 18% të borxhit të jashtëm të ekonomisë shqiptare. Ato kanë një vlerë më të madhe krahasuar me gjithë detyrimet e tjera të jashtme të sektorit privat të ekonomisë (përjashtuar bankat). Borxhi i jashtëm i sektorit privat ka arritur vlerën e 1.49 miliardë eurove, në rritje me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor