Vendosni fjalën kyçe....

Listat me pagat/ Basha: Tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga takimi i tij me demokratët e Dibrës, ka folur edhe mbi skandalin e publikimit të pagave të mbi 630 mijë qytetrëve shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se zbulimi i pagave të tatimpaguesve shqiptarë, tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur vendi ynë, si një shtet i kapur nga të korruptuarit.

“Të gjitha këto halle, probleme, dhimbje të përditshme të shqiptarëve, janë bërë edhe më të rënda nga pandemia, e cila na ka marrë nga gjiri familjeve tona dhjetëra, mijëra prindër dhe të afërm. Shumë më shumë sesa vendet fqinje. Ka goditur dhe ka futur në borxh qindra, mijëra familje shqiptare. Sepse ky vend nuk ka qeveri. Sepse ky vend nuk qeveriset. Ky vend nuk ka qeveri sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit që nuk ka hallin e njerëzve. Nuk qeveriset sepse anembanë vendit, nuk ka shtet. Nuk është një shtet i korruptuar dhe i kapur, por është një shtet i kapur nga të korruptuarit. Një shtet që siç e pamë javët e fundit është rrënuar deri ën tullën e fundit. Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, e kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve.”– tha Basha.

Ai ka komentuar edhe pagat dhe numrin e këshilltarëve të kryeministrit Edi Rama që u zbulua pas publikimit të listave me të dhënat personale. Basha thotë se Rama paguan 300 mijë euro për 25 këshilltarë, me taksat që iu merr qytetarëve ndërkohë që shumica e shqiptarëve jetojnë të zhytyr në varfëri dhe vetëm një pakicë e vogël përfiton.

“Teksa po vija këtu, një e dhënë tjetër dramatike është shpalosur në media. 300 mijë euro për 25 këshilltarë paguan Edi Rama nga taksat që iu merr shqiptarëve. Para të mjaftueshme për të futur në skemën e ndihmës ekonomike 500 familje. Në vend të 500 familjeve në ndihmë ekonomike, kemi 25 këshilltar dhe e kuptoni vet se çfarë këshillash i japin Edi Ramës, sepse e shikojmë se si është Dibra, e shikojmë se si është Shqipëria në ditën e saj më të zezë. Të gjithë këta njerëz paguhen me paratë të cilat merren nga xhepat tuaj. Merren përmes TVSH-së, merren përmes çmimit më të lartë të naftës, merren përmes faturave arbitrare të dritës e të ujit, merren përmes taksave që janë më të lartat në rajon, merren përmes gjobave që nuk kanë të përfunduar.

Asnjë prej këtyre të ardhurave që shteti grumbullon, nuk kthehen siç kthehen në vendet fqinje në përfitime për qytetarët. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, është zhytur në varfëri. Vetëm një pakicë e vogël, aq e vogël sa e zë një avion i vetëm që është nisur ditën e avion privat sheikësh drejt Dubait, vetëm ata përfitojnë nga regjimi i Edi Ramës. Vetëm ata pasurohen në një kohë që i gjithë populli varfërohet. Vetëm Ata gëzojnë dhe fërkojnë duart për të mbajtur paligjshmërisht, me çdo kusht e me çdo mjet në këmbë këtë regjim.”- u shpreh kryedemokrati.