Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka njoftuar masat e reja për qytetarët që udhëtojnë në Malin e Zi.
Në një njoftim për mediet bëhet me dije se duke filluar nga data 02 janar 2022, lejohet të kalohet kufiri drejt Malit të Zi me certifikatë vaksinimi të plotë me numrin e duhur të dozave, dhe nga doza e dytë të mos ketë kaluar më shumë se 6 muaj.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton masat e reja për hyrjet në Malin e Zi.
Duke filluar nga data 02 janar 2022, lejohet të kalohet kufiri:
Me certifikatë vaksinimi të plotë me numrin e duhur të dozave, dhe nga doza e dytë të mos ketë kaluar më shumë se 6 muaj.
Me vërtetimin se personi ka kaluar kovidin (që ka kaluar jo më pak se 10 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testi pozitiv PCR ose i shpejtë antigen).
Në të dyja rastet personi duhet të ketë patjetër ose testin negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë, ose testin e shpejtë Antigen jo më të vjetër se 48 orë.
Kjo do të thotë që nuk është më e mundur hyrja në Mal të Zi vetëm me test negativ.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.