Vendosni fjalën kyçe....

Rama iu përgjigjet kritikëve: Thanë lloj-lloj broçkullash, jo po do vija unë të bëja Pallat në Bubq për vete, sot vepra flet vetë


Në ceremoninë e sotme të mbajtur në Bubq kur iu dorëzuan çelësat e banesave të rindërtuara familjeve të prekura nga tërmeti, kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikave që ka marrë gjatë kësaj kohe lidhur me procesin e Rindërtimit.

Rama tha se vepra flet vetë dhe se ndihet i lumtur që qytetarët, e në veçanti demokratët do e kujtojnë atë.

“Është e paimagjinueshme të dëgjosh lloj lloj broçckullash, jo po janë lekët e botës. Jo po janë lekët e këtij, jo po janë lekët e atij. Jo po janë lekët e shqiptarëve që u mblodhën, jo po janë këtu, jo po aty, jo po çfarë keni bërë ju.

E para e punës njëherë, nderim, respekt e mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuuar, për të gjithë ata shqiptarë, por ai kontribut në raport me gjithë volumin është një pjesë modeste e volumit. Nga ana tjetër, sigurisht, sigurisht që qeveria që kur ka lindur një qeveri në botë dhe është krijuar shteti, është aty për të administruar lekët e taksapaguesve, është aty për të siguruar fonde nga të tjerët, është aty për të krijuar aleanca, etj, etj. Dhe unë besoj se ne i kemi bërë të gjitha këto ashtu si duhet se ndryshe nuk do ta kishim bërë këtë proces Rindërtimi.

Atyre që thonë hë mo se janë borxhe u them: Po mirë, çfarë ndodh në shtëpinë tuaj kur pikon çatia? Dhe kur nuk e ke të planifikuar, çfarë bën ti? Shkon merr borxh patjetër. Si mund të bëhej kjo pa marrë asnjë borxh. T’ja bënim disave dhe t’i linim disa të tjerë. Kjo është bërë e gjitha si duhet dhe me ndihmën e Zotit sot puna flet vetë.

Dhe unë pas gjithë kësaj historie dhe gjithë asaj balte e agresiviteti, pas gjithë atyre akuzave jo vetëm për këtë por për të gjitha, jam shumë i vendosur që mos të humbas më asnjë minutë me ata që kanë kohë për të humbur duke sharë e hedhur lloj lloj teorish që ‘Jo po shtëpitë nuk do jau bëjnë, jo po do t’ju marrin tokat, do bëjnë pallate për vete.’ Do vija unë të bëja Pallat në Bubq për vete. ‘Jo po do jua bëjnë por pastaj do jau shesin.’

Të gjitha këto i merr era, ja ku është vepra dhe tani për një gjë më vjen shumë mirë, sidomos për ata demokratët, ata të bravave që do hyjnë në shtëpi, do ta hapin atë bravën krrap dhe do më kujtojnë mua. Këtë s’kanë si e shmangin. Do më kujtojnë mua dhe pastaj do më shajnë kur të më kujtohjnë: ‘Nuk ka bo ndonjë gjë’. Por do më shajnë rehat në shtëpi të vet, ulur atje duke parë televizor duke thënë: ‘Hë mos se s’ka bërë ndonjë gjë, lekët e popullit ishin, hë mo se kushedi sa ka vjedh nga shtëpitë ai’.

Do i thonë të gjitha këto por prap unë do i kujtohem dhe unë për këtë jam në këtë detyrë, për të lënë një emër të mirë, për të bërë një kujtim të mirë, dhe për të mos iu ndarë demokratëve si hije gjithë jetën. Aman jo hije për keq, por hije që kurr rrëzohesh e ke aty dhe të jep dorën e të thotë: Çohu se jemi bashkë!.”– tha Rama.