Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të mërkurën se gazsjellësi “Rrjedha Veriore 2” është i gatshëm që të eksportojë gaz. Ai tha se ky projekt do të ndihmonte në uljen e çmimeve të gazit në Evropë, që kanë arritur në nivele rekord.
Projekti “Rrjedha Veriore 2” ka përfunduar në muajin shtator, por tani po pret që të marrë miratimin e rregullatorëve në Gjermani dhe në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, lëshimi në përdorim i këtij gazsjellësi ka hasur në rezistencën e Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera, përfshirë Poloninë dhe Ukrainën, që thonë se do të rrisë varshmërinë e Evropës ndaj gazit rus.
Putin tha se pjesa e dytë e tubacionit është mbushur me gaz.
“Dua të përgëzoj Gazpromin dhe partnerët e tyre në ‘Rrjedhën Veriore 2’ për përfundimin e punës dhe për krijimin e kësaj rruge të rëndësishme e cila është e gatshme për punë”, tha Putin gjatë një mbledhjeje të Qeverisë ku mori pjesë edhe kreu i Gazpromit, Alexei Miller.
Gazsjellësi “Rrjedha Veriore 2” është një projekt që ka kushtuar 11 miliardë dollarë. Ai është ndërtuar nga gjiganti i gazit, Gazprom që kontrollohet nga Kremilini. Gjysma e kostos së ndërtimit është paguar nga kompanitë energjetike evropiane.
Miratimi për lëshimin në funksion të këtij gazsjellësi pritet të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2022. Ky tubacion do të sjellë gazin përmes Detit Baltik deri në Gjermani.