Vendosni fjalën kyçe....

U divorcua nga gruaja izraelite, burrit australian i ndalohet të largohet nga Izraeli deri në vitin 9999


Një baba australian thotë se i është ndaluar të largohet nga Izraeli për mijëra vjet.

Noam Huppert thotë se ai s’mund të largohet nga Izraeli për çfarëdo lloj arsye deri më 31 dhjetor të vitit 9999, përveç nëse i paguan ish-gruas së tij izraelite 2.4 milionë dollarë si mbështetje për fëmijët në të ardhmen, sipas ligjit për divorc.

Noam Huppert tha për News.com.au se ai ka qenë efektivisht “i mbyllur” në Izrael që nga viti 2013, një vit pasi ai mbërriti në shtetin hebre për t’u takuar me dy fëmijët që kishte me ish-gruan e tij e cila është një shtetase izraelite. Fëmijët ishin tre muajsh e pesë vjeç në atë kohë, shkruan RT.

Menjëherë pasi Huppert u transferua në Izrael, ish-gruaja ngriti një çështje kundër tij në një gjykatën fetare lokale, e cila mbikëqyr çështje të tilla si martesa, divorci, kujdestaria e fëmijëve dhe pagesat për mbështetjen e fëmijëve. Duke vendosur mbi bazën e ligjit izraelit të divorcit, gjykata e ndaloi australianin të largohej nga vendi derisa të paguante një “borxh” në pagesat e mbështetjes për fëmijët e tij.

Sipas ligjit, burri u urdhërua të paguante 5 mijë shekelë izraelitë (ose rreth 1 mijë e 600 dollarë) në muaj si mbështetje për secilin prej fëmijëve të tij derisa të mbushnin 18 vjeç.

Huppert ka akuzuar qeverinë se po i ndëshkon të huajt që martohen me shtetas izraelitë. Burrat australianë janë “persekutuar nga sistemi i drejtësisë izraelite vetëm sepse ishin të martuar me gra izraelite”, këmbëngul ai.

Kimisti analitik 44-vjeçar tha se ai vendosi të fliste me shtypin “për të ndihmuar australianë të tjerë që mund të vuajnë këtë përvojë fjalë për fjalë kërcënuese për jetën”.

Mund të ketë “qindra” qytetarë australianë midis të huajve të prekur nga urdhra të ngjashëm, tha Marianne Azizi, një gazetare e pavarur në Mbretërinë e Bashkuar, burri i së cilës u vu në të njëjtat telashe në Izrael. Ajo tha se numri i saktë është “pothuajse e pamundur të përcaktohet” pasi kjo temë është tabu në vend.

“Sistemi është ngritur kundër baballarëve”- vuri në dukje regjisori Sorin Luca, i cili drejtoi dokumentarin “No Exit Order” në vitin 2019. “Kjo është një arsye pse shumë baballarë nuk divorcohen. Ata thjesht kanë shumë frikë.”

“Pasi një baba të marrë urdhrin për të mos dalë nga vendi, ai mund të burgoset deri në 21 ditë, pavarësisht nëse ai ka aftësinë për të paguar apo jo, pa ndonjë hetim të financave të tij.”- shtoi Luca.

Disa qeveri shkojnë aq larg sa t’i paralajmërojnë qytetarët e tyre paraprakisht për ligjet e ndërlikuara të divorcit të Izraelit. Për shembull, Departamenti Amerikan i Shtetit informon amerikanët që shkojnë jashtë vendit se gjykatat izraelite nuk hezitojnë “të ndalojnë individë të caktuar, përfshirë jorezidentë, të largohen nga vendi derisa të zgjidhen borxhet ose pretendimet e tjera ligjore kundër tyre”. Megjithatë, qeveria australiane me sa duket nuk i paralajmëron qytetarët e saj për pasojat e mundshme nga martesa, lindja e fëmijëve dhe më pas divorci me një shtetas izraelit.