Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti i Michael Schumacher në ski, çfarë dihet për gjendjen e ikonës së F1 8 vite më pas


Tetë vjet pas aksidentit të tij tragjik në Alpet Franceze, gjendja mjekësore i ikonës së Formula 1 Michael Schumacher mbetet një nga sekretet më të ruajtura në të gjitha sportet, por disa hollësi kanë dalë në dritë rreth gjendjes së tij.

Mëngjesi i 29 dhjetorit 2013 duhet të kishte qenë një shëtitje e argëtim i zakonshëm për të. Schumacher, njeriu, etja e pangopur e të cilit për shpejtësi e bëri atë të konsiderohej si shoferi më i mirë i brezit të tij, apo të ndonjë brezi tjetër, pësoi një rënie me shpejtësi të madhe ndërsa po bënte ski në një rrugë të pasigurt, jashtë pistës, së bashku me djalin e tij 14-vjeçar, Mick, vetëm pak ditë pas Krishtlindjeve dhe një javë apo më shumë para ditëlindjes së tij të 45-të.

Sipas një rindërtimi të aksidentit, të kryer nga gazeta gjermane Bild (dhe riprodhuar nga France24), helmeta e tij dukej se mori pjesën më të madhe të goditjes kur ana e djathtë e kokës së tij goditi një shkëmb të zbuluar, i gjendur në vendin më të papërshtatshëm të mundshëm.

Rënia e tij nuk u ndihmua nga siguresa e një prej skive të tij, të marra me qira, që thuhet se nuk u hap.

Përkrenarja e tij u thye nga përplasja. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 kishte gjakderdhje të tepërt nga koka e tij, një plagë që shtrihej nga pjesa e djathtë deri në pjesën e pasme të kokës. Mbrojtja e kokës, megjithatë, dukej se ishte thelbësore. Mjekët më vonë do të thoshin se Schumacher do kishte vdekur në vend nëse nuk do kishte pasur në kokë përkrenaren mbrojtëse.

Por në momentet pas aksidentit Schumacher mbeti i vetëdijshëm.

Nuk dihet saktësisht se çfarë mund të ketë thënë, apo në çfarë mënyre ka komunikuar me djalin e tij adoleshent, por ndihma u kërkua menjëherë dhe mbërriti brenda katër minutave.

Megjithatë, menjëherë pas kësaj, gjendja e tij filloi të përkeqësohej. Komunikimi u bë më i rrallë dhe jokoherent. Nuk dukej sikur ai kishte kontroll të plotë të gjymtyrëve të tij.

Pas mbërritjes së tij në një spital të Grenoble, Schumacher ra në koma dhe u operua menjëherë.

Dhe këtu informacioni, në pjesën më të madhe ndalet.

Dihet se ai doli nga koma disa muaj më vonë dhe se ka mbetur nën kujdesin e familjes së tij dhe gruas së tij Corinna, e cila zbuloi në dokumentarin e publikuar për bashkëshortin e saj në fillim të këtij viti se e ndjente se ishte detyrë e saj ta mbante atë që po ndodhte me Schumacher në privatësi dhe larg nga shkëlqimi këmbëngulës i mediave.

Sot, Schumacher vazhdon riaftëësimin në shtëpinë e tij prej 40 milionë dollarësh në Majorca, pasi u transferua atje nga Gjeneva në vitin 2020 dhe e cila më parë ishte në pronësi të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez.

Prona mendohet të jetë e pajisur me një sërë pajisjesh mjekësore të rëndësishme për rikaftësimin e e Schumacher.

Vetëm disa persona të zgjedhur janë të vetëdijshëm për përditësimet rreth gjendjes së Schumacher e njëri prej tyre është ish-kreu i ekipit Formula 1 të Ferrarit, Jean Todt, njeriu që punoi së bashku me gjermanin për disa nga arritjet e tij botërore dhe që mbetet i lidhur ngushtë me familjen Schumacher.

Todt dihet se viziton Schumacher në shtëpinë e tij rreth dy herë në muaj dhe muajin e kaluar i tha Corriere della Serra: “Unë nuk e lë vetëm. Atë, gruan e tij e familjen e tij, ne kemi pasur kaq shumë përvojat së bashku. Bukuria e asaj që kemi përjetuar është pjesë e jona dhe vazhdon.”

Në fakt, shumë nga ajo që dihet deri tani për Schumacher vjen nga deklaratat e ndryshme të Todt gjatë muajve dhe viteve të fundit.

Në vitin 2020 ai tha se Schumacher po ‘luftonte’ gjendjen e tij.

“Ne e dimë se ai pati një aksident të tmerrshëm dhe fatkeq në ski që i ka shkaktuar shumë probleme. Por ai ka një grua të mrekullueshme pranë tij, ai ka fëmijët e tij, infermieret e tij dhe ne mund t’i urojmë më të mirën e shërim të shpejtë si dhe më të mirat edhe familjes.” – tha francezi.

“Gjithçka që mund të bëj është të jem pranë tyre derisa të jem në gjendje të bëj diçka dhe këtë do e bëj.” – shtoi Todt.

Menjëherë pas kësaj, neurokirurgu Erich Riederer dha një intervistë spekulative për televizionin francez në të cilën tha se priste që Schumacher të ishte në një ‘gjendje vegjetative’.

“Unë mendoj se ai është në një gjendje vegjetative, që do të thotë se ai është zgjuar, por nuk përgjigjet.” – tha ai.

 “Ai po merr frymë, zemra i rreh, ndoshta mund të ulet dhe të bëjë hapa bebesh me ndihmë, por jo më shumë.” – shtoi ai.

“Unë mendoj se ky është maksimumi për të. A ka ndonjë shans për ta parë atë siç ishte para aksidentit të tij? Unë me të vërtetë nuk mendoj.” – theksoi neurokirurgu.

Megjithatë, asnjë deklaratë e tillë nuk është bërë nga familja apo ekipi mjekësor i Schumacher.

Todt, megjithatë, ka lënë të kuptohet se shoferi gjerman aktualisht nuk po shijon atë që mund të përshkruhet si një ‘jetë normale’.

“Unë jam shumë i matur në këtë temë. Të gjithë e dimë se Michael pati një aksident shumë të rëndë dhe, për fat të keq, pati pasoja të rëndësishme për të. Që atëherë, ai është trajtuar në mënyrë që të mund të kthehet në një jetë më normale.” –  tha ai për Ouest France.

Por ndoshta deklarata më e fortë ishte një pranim i rrallë nga Corinna gjatë dokumentarit të lartpërmendur të Netflix të publikuar në shtator.

“Michael është këtu, ndryshe, por këtu.” – tha ajo.

Për momentin, emri i Schumacher mbetet në buzët e tifozëve të Formula 1 në mbarë botën, jo më pak për shkak të djalit të tij Mick, i cili tani është 22 vjeç, pasi ka bërë 22 gara për ekipin Haas në sezonin e përfunduar së fundmi. Schumacher-i më i ri listohet si pilot rezervë për Ferrarin përpara sezonit të ardhshëm.

Dhe Mick thotë se nuk e shqetësojnë krahasimet e pashmangshme që vijnë me atë rol.

“Kam respektin maksimal për atë që ka arritur, gjithë punën e tij të palodhur për të fitoret dhe titujt e tij. Asgjë nuk ishte e lehtë për të.” – tha ai për Frankfurter Allgemeine për babain e tij.

“Energjia dhe forca që tregoi, përqendrimi i tij, duke dhënë gjithmonë 100% në punë, më bën përshtypje. Besoj vërtet se kam trashëguar diçka në këtë kuptim. Zakonisht nuk e krahasoj veten me të tjerët. Parapëlqej të ec në rrugën time. Por kërkoj krahasime me babanë tim. Më kanë thënë se jemi shumë të ngjashëm.” – tha Mick.

Por me trashëgiminë e Schumacher që ndihet ende në rrjet, ndjenja e kureshtjes rreth emrit të familjes nuk tregon asnjë shenjë zbehjeje dhe ka të ngjarë të mos shuhet derisa tifozët e tij të kenë disa përgjigje të prekshme për pyetjet që nuk mund të mos i bëjnë.

Përgatiti për Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT