Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Ka tre instrumente për pastrimin e politikës


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në konferencën e sotme me gazetarë përmendi tre instumente për pastrimin e politikës: reforma e thellë zgjedhore, duke përfshirë dhe Kushtetutën; drejtësia të bëjë përpara dhe vettingu në politikë.

 “Pastrimi i politikës kryhet përmes tre instrumenteve. Patronazhistët, një konfirmim i partisë-shtet, u konfirmua nga afera e inceneratorëve. 

Së pari zgjedhjet. Çlirimi i zgjedhjeve nga rrethimi i shumëfishtë nga patronazhistët, oligarkët dhe krimi, nuk mund të kryhet me disa hapa korrektivë në ligjin e reformës zgjedhore.

Duhet një reformë e thellë që të përfshijë edhe Kushtetutën dhe të gjithë shoqërinë dhe nuk mund të kryhet në dhoma të errëta si ajo e vitit 2008. Ky është një kusht që nuk mund të ecet përpara dhe është arsyeja kryesore pse PD ndodhet në një parlament që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

E dyta mënyrë për të luftuar korrupsionin është që drejtësia të bëjë përpara. Hapat e parë janë inkurajues. Shqiptarët presin dhe meritojnë më shumë dhe më shpejt.

Dhe hapi i tretë është vettingu i politikanëve. Kjo nuk është për të ‘larë gojën’ por për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sot kam një mesazh, jo për drejtësinë, por për ata hetues, prokurorë dhe gjyqtarë, në veçanti atyre që u është besuar lufta kundër korrupsionit, ‘dorës së zezë’ që fshih gjithçka, keni dhe do të keni mbështetjen e plotë të PD-së dhe timen personale.

E di që kjo është një rrugë e vështirë, ndesheni me presionin e aktorëve që konsiderojnë Shqipërinë si plaçkën e tyre; aktorë ekonomikë, politikë, apo mediatikë.”- deklaroi ai.