Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare ikona e ekranit të “RTSH”-së Vladimir Grillo.
Mësohet se Grillo vuante nga një sëmundje e rëndë prej dy vjetësh. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur gazetari i njohur i sportit Defri Methasani në një postim në rrjetet sociale.
“Shuhet ikona e ekranit per sportin Vladimir Grillo, gazetari dhe komentatori me të cilin ndava 25 vite të jetës sime. Humba një mik të shtrenjtë, ashtu si familja Grillo njeriun më të dashur të saj. Vërtet dhimbje e madhe. RTSH humbi simbolin sportiv dhe të mikrofonit. Sëmundja e rëndë e rrëzoi mjeshtrin e fjalës dhe komentit në moshën 74 vjeçare. U prehtë në paqe. Mungesa e tij do të na shoqëroj gjithë jetën.” -shkruan gazetari.
Me mbi 40 vjet eksperiencë në ekran, Vladimir Grillo ishte kthyer në një ikonë të gazetarisë televizive sportive në vend. Ai ka realizuar mijëra orë komente ndeshjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, për të gjitha sportet.
Grillo mbaroi për letërsi në Institutin Histori-Filologji në vitin 1969. Më 3 janar të vitit 1970 filloi punë në RTSH për të qëndruar aty deri në fund të jetës së tij.
Vitin e kaluar, ai u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” më 2 korrik 2020 nga presidenti i Republikës Ilir Meta “Për kontributin dhe vlerat e veçanta në përcjelljen me cilësi të veprimtarive sportive, duke promovuar arritjet në disiplina të ndryshme sportive, si një komentator sportiv i spikatur në Radio-Televizionin Shqiptar, me vlera estetike e qytetare”.