Vendosni fjalën kyçe....

Pas avokatëve të Korçës edhe ata të Shkodrës kundër hartës së re gjyqësore: Është në shkelje të rëndë të interesit publik


Edhe avokatët e Shkodrës i janë bashkuar atyre të Korçës, duke shprehur hapur kundërshtinë e tyre në lidhje me hartën e re gjyqësore.

Kryetari i dhomës së avokatisë Shkodër, Anton Kosteri në një dalje për mediet thotë se kjo hartë e re gjyqësore është në shkelje të rëndë të interesit publik.

“Ne si Dhomë e Avokatisë Shkodër, vlerësojmë se drafti propozuar nga MD dhe KLGJ për hartën e re gjyqësore, është në shkelje të rëndë të së drejtës për akses në Gjykatë të qytetarëve të RSH, si një element thelbësor i procesit të rregullt ligjor, e parashikuar nga Kushtetuta e RSH dhe KEDNJ. Gjithashtu, harta e propozuar, është në shkelje të rëndë të interesit publik të qytetarëve, të rendit juridik dhe parimit të subsidiaritetit, pasi i largon qytetarit në mënyrë domethënëse Gjykatën, si organi kryesor dhe i vetëm për dhënien e drejtësisë në vend.”– thotë Kosteri.

Avokati shton gjithashtu se qytetarët janë të detyruar që të paguajnë edhe një dhomë hoteli në Tiranë, vetëm për t’u paraqitur në gjykatën e Apelit.

“Shkurtimi i 19-të gjykatave në rang vendi e largon në mënyrë domethënëse qytetarin nga Gjykata, sepse e detyron qytetarin nga skajet më të largëta të Shqipërisë, nga Tropoja, Kukësi, Shkodra, Korça, Maliqi, Pogradeci, Fieri, Berati e të tjerë, të shkojnë në Tiranë për të ndjekur gjykimet administrative apo gjykimet në apel, ku përveç kostove të udhëtimit duhet të gjejnë edhe një hotel në Tiranë sepse nuk mund të bëjnë një udhëtim brenda ditës duke patur parasysh infrastrukturën e dobët të Republikës së Shqipërisë, duke pasur parasysh mungesën totale të transportit publik, duke pasur parasysh edhe mungesën e hekurudhave në vendin tonë. Nuk ka asnjë tren në Shqipëri.”-shprehet Kosteri.

Ai e quan të pavend krahasimin e vendit tonë në këtë draft me vende si Suedia, Anglia e Danimarka, ku sipas tij atje është rritur efikasiteti i gjykatave kur në Shqipëri ndodh e kundërta.