Vendosni fjalën kyçe....

Pas Ramës edhe Basha në konferencën e fundvitit me gazetarët: Avokatia politike e Ramës ndaj inceneratorëve ka marrë përmasa groteske


Kryetari i PD-së Lulzim Basha pasditen e sotme ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët në mbyllje të këtij viti.

Gjatë fjalës së tij Basha u ndal tek inceneratorët. Ai u shoreh se gjatë gjithë kohës që PD bënte denoncime e i çonte kërkesa SPAK-ut për të hetuar këtë aferë, janë përballur me sulme dhe shpifje por edhe me kallëzime penale nga persona që sot janë në kërkim lidhur me këtë aferë.

Basha thotë se kjo tregon se nuk është përgjegjës një njeri i vetëm, duke iu referuar ish-ministrit Lefter Koka që është sot i arrestuar, por e gjithë trupa qeveritare me në krye Edi Ramën.

 “Jemi përsëri bashkë me qëllim që me ju dhe përmes jush edhe me qytetarët shqiptarë, të bëjmë një komunikim i cili sido të jetë nuk mund të prekë gjithçka që kemi përjetuar në këtë vit të mbushur me ngjarje, por e rëndësishme është të prek atë që është thelbësore për njerëzit. Të vërtetat sikur i kanë përjetuar shqiptarët dhe familjet shqiptare.

Dhe natyrisht të ndajmë edhe shpresën, edhe besimin dhe urimin, që ky vit kaq i mbrapsht për shumicën dërrmuese të bashkëqytetarëve tanë të mbetet pas dhe bashkë me vitin e ri të nisë një rrugë dhe një shpresë e re për çdo shqiptar.

Nuk kam ndërmend të bëj një kronologji të vitit. E para jam i sigurt që shumica e kanë të gdhendur në mendjen e tyre kronologjinë e këtij viti.

Por dua ta nis me atë që u kthye në kryefjalën e komunikimit publik dhe politik, afera e këtyre 30 viteve, afera e inceneratorëve.

Para pak ditësh një ministër i Edi Ramës u arrestua dhe ndodhet aktualisht në pranga për këtë aferë mafioze. Nga kjo sallë dhe të tjera, nga çdo ambient, prej vitesh PD dhe unë personalisht, kemi denoncuar me fakte sesi qeveria e Edi Ramës me në krye Edi Ramën e konceptoi, e zbatoi dhe përfitoi financiarisht dhe politikisht nga afera korruptive e inceneratorëve.

Gjatë gjithë kohës që kemi bërë këto denoncime jemi ndeshur me një mur që vetëm lartësohej, i cili përbëhej nga censurë, autocensurë, sulme dhe shpifje kundër denoncuesve të kësaj afere, kundër PD dhe meje personalisht.

Një xhirim të shpejtë të këtij qëndrimi e keni parë edhe gjatë këtyre muajve të Komisionin Hetimor të Inceneratorëve të ngritur në Kuvend.

Avokatia politike e Edi Ramës ndaj inceneratorëve ka marrë përmasa groteske. Ndërkohë që ne denonconim dhe çonim në SPAK kërkesa për hetimin e inceneratorëve, Edi Rama hidhte ndaj nesh jo thjesht sulme politike dhe mediatike por edhe kallëzime penale. Vetëm një javë para arrestimit të Lefter Kokës, në Partinë Deëmokratike mbërritën kallëzime nga njerëz që sot janë në kërkim kundër drejtuesve të PD-së nga persona në kërkim për këtë aferë, kundër meje personalisht dhe kundër katër drejtuesve të tjerë. Pra duket qartë që në këtë aferë nuk kemi të bëjmë me një njeri të vetëm Lefter Kokën që është sot i arrestuar, as me ata dy-tre që janë në kërkim por kemi të bëjmë me të gjithë trupën qeveritare me në krye Edi Ramën.”- tha Basha.