Vendosni fjalën kyçe....

Putini ndryshon rregullat e marrjes së pasaportës ruse


Presidenti rus Vladimir Putin ka paraqitur një projekt-ligj që mund të thjeshtojë procesin e marrjes së shtetësisë për një gamë të gjerë njerëzish, përfshirë ata që jetojnë brenda kufijve të Bashkimit Sovjetik dhe fëmijët e tyre.

Projektligji, i cili u prezantua të mërkurën, propozon lehtësimin e procedurave për t’u bërë shtetas rus për individët që bëjnë pjesë në më shumë se 20 kategori.

Sipas projektligjit rruga për marrjen e pasaportave ruse do të thjeshtohet për qytetarët e ish-BRSS dhe ata që jetojnë në ish-republikat e saj. RT shkruan se procedurat e thjeshtuara dol të zbatohen gjithashtu për të afërmit e njerëzve që banojnë në territorin e Perandorisë së vjetër Ruse ose Bashkimit Sovjetik.

Individët që kanë familjarë që janë qytetarë të Rusisë gjithashtu do të kenë të drejtë. Megjithatë, shtetësia e thjeshtuar për bashkëshortët do të jetë e mundur vetëm nëse ata kanë ngjizur të paktën një fëmijë gjatë martesës së tyre.

Investitorët që kërkojnë të vijnë në Rusi nuk janë në listën e atyre që kanë të drejtë për marrjen e thjeshtuar të shtetësisë. Dokumenti gjithashtu propozon zgjerimin e kompetencave të presidentit për të përcaktuar kategorinë e njerëzve që kanë të drejtën e një rruge të thjeshtuar të marrjes së shtetësisë ruse “jo vetëm për qëllime humanitare, por për çdo arsye tjetër”.

Ky projektligj vjen pas deklaratave të udhëheqësit rus mbi çështjet demografike me të cilat vendi i tij po përballet. Duke folur javën e kaluar në konferencën për shtyp të fundvitit, Putin tha se popullsia e vendit prej 146 milionë njerëzish ishte “e pamjaftueshme” për të mbuluar një territor kaq të gjerë. Duke vënë në dukje se kishte vetëm rreth 81 milionë njerëz në moshë pune, ai tha se kjo e vendos Rusinë në një disavantazh ekonomik, pasi vendi kishte një fuqi punëtore shumë të vogël të qëndrueshme në krahasim me madhësinë e saj.

Në fillim të këtij muaji, Putin pohoi se ata që kërkojnë të migrojnë në Rusi duhet së pari të studiojnë zakonet dhe gjuhën e saj përpara se të bëjnë këtë lëvizje. “Ne duhet të sigurohemi që njerëzit që dëshirojnë të vijnë për të punuar këtu të përgatiten për këtë udhëtim në vendin tonë dhe për të punuar këtu ndërsa janë në vendlindjet e tyre.”- tha ai.