Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për hetim pasuror ndaj kompanive dhe biznesmenëve që deklarojnë për punonjësit paga më të ulëta nga sa ata paguhen.
Në konferencën e sotme për mediet me gazetarët, Rama tha se kjo gjë do të marrë fund dhe se punonjësit do të stimulohen që të mos heshtin.
“Hetim pasuror të kompanive dhe atyre biznesmenëve që deklarojnë për punonjësit paga minimale apo paga me të ulëta nga sa ata paguhen, natyrisht kjo do të shoqërohet me një reformë të re dhe të shpejtë. Edhe kjo na gjeti si ngjarje në procesin e përgatitjes për të ndarë në një mënyrë teknike biznesin e vogël nga hapësirat që i japin atyre që fitojnë shumë dhe që sillen si biznes i vogël, pra atyre që bëjnë cirk.
Nga ana tjetër kjo do të na ndihmojë të garantojmë punonjësit me pagë reale minimale, se ndodh dhe inversi që u jepen pagat minimale dhe pastaj iu merren mbrapsht një pjesë e tyre që kjo është pastaj abuzim prej skllavo-pronarësh. Kjo qeveri do të jetë e tëra në krah të punonjësve. E tëra! Dhe do stimulojmë punonjësit që të mos heshtin.”- tha Rama.