Vendosni fjalën kyçe....

Shfrytëzonte seksualisht motrën e mitur për qëllime përfitimi, arrestohet 27-vjeçarja


Një 27-vjeçare në Mat ka përfunduar në pranga për shkak të dyshimeve se e shfrytëzonte të motrën e saj të mitur si prostitutë për qëllime përfitimi.

E reja me inicialet H. C., është banuese në Burrel. Ajo dyshohej se bashkëpunonte së bashku me një shtetas tjetër të arrestuar më parë nga policia, me inicialet U.C.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, u ndalua shtetasja H. C., 27 vjeçe, banuese në Burrel, pasi nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se kjo shtetase në kohë të ndryshme (në bashkëpunim me shtetasin U. C., të arrestuar më parë nga Policia ) ka shfrytëzuar motrën e saj të mitur për qëllime përfitimi.

Gjykata e Shkallës së Parë Mat, ndaj kësaj shtetaseje ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur’.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë Dibër dhe Mat për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.