Vendosni fjalën kyçe....

Grabitje 3 mln USD – Inspektimi Financiar kap në aferë Gledjan Llatjan e Elbasanit


Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja është gjetur si përgjegjësi kryesor në një prej aferave më serioze në sektorin e hidrokarbureve, sipas një inspektimi financiar të siguruar nga Hashtag.al.

Në vitin 2017 Gledjan Llatja mbante postin e drejtorit juridik në AKBN, ai u caktua në krye të një komisioni që do të bënte marrjen në dorëzim të aseteve dhe pasurive të koncensionarit “Transatlantic/GBC OIL” i cili u shtetëzua asokohe.

Raporti i inspektimit financiar i hartuar këtë muaj (17 Dhjetor 2021), ka zbuluar se Gledian Llatja dhe grupi i tij i punës në fakt kanë bërë një gafë e cila i ka shkaktuar shtetit shqiptar humbjen e çështjes me “GBC OIL” në arbitrazh.

Në kundërshtim me të gjitha rregullat ligjore, Llatja ka marrë me procesverbal në dorëzim asetet nga një person që nuk kishte asnjë tagër për dorëzimin e tyre. (Lexo të plotë raportin e inspektimit)

Praktikisht grupi i udhëhequr nga Llatja i ka zhvatur asetet, pasi nga ana e koncesionarit GBC OIL nuk ka pasur asnjë person të autorizuar për dorëzimin e tyre me inventar.

Ky aksion është përdorur nga koncensionari GBC OIL në arbitrazh duke pretenduar grabitjen arbitrare të aseteve dhe përvetësimin e paligjshëm të sasive hidrokarbure që ndodheshin në magazinat e dekantimit të GBC OIL. Koncensionari ka pretenduar se Albpetrol dhe grupi i punës i udhëhequr nga Gledian Llatja kanë kryer në bashkëpunim grabitjen e një sasie hidrokarburesh ekuivalent i afro 3 milionë dollarëve. (Lexo këtu për gjyqin e arbitrazhit).


Prapavija e auditit

Raporti i Inspektimit Financiar është hartuar nga Ministria e Financave, drejtoria e inspektimit pritet të çojë në prokurori konkluzionet e raportit në muajin janar 2022.

Para se të zgjidhej kryetar i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja ka punuar si drejtor juridik në AKBN, shef fushate i Damian Gjiknurit dhe më pas drejtor kabineti i ish-ministrit Gjiknuri.

Gledjan Llatja është një investim direkt i zotit Gjiknuri dhe goditja e tij nëpërmjet këtij raporti inspektimi mund të jetë e mbështetur nga klanet rivale në Partinë Socialiste.

Një burim konfidencial i tha Hashtag.al se raporti i inspektimit është hartuar nën kujdesin e zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Ky i fundit është përfshirë në një luftë të ashpër konjukturale me Gjiknurin, zanafilla e konfliktit dyshohet se ka qenë përplasja e interesave për biznesin e inceneratorëve.

Ahmetaj nga ana tjetër është nën presion pasi ka informacione se ndaj tij dhe Sekretarit të Përgjithshëm në Kryeministri Ëngjëll Agaçi janë duke u kryer hetime nga autoritetet italiane. / Hashtag.al