Vendosni fjalën kyçe....

Ish-këshilltarja e Ronald Reagan ka aplikuar për pasaportë ruse, tregon arsyen pse


Suzanne Massie, e cila këshilloi qeverinë amerikane në vitet 1980, është shfaqur në një program televiziv rus “Worlds Apart” të RT-së, ku ka treguar se pse po aplikon për të marrë nënshtetësinë ruse.

Po ashtu ajo ka zbuluar disa detaje rreth ish-shefit të saj, Ronald Reagan.

Massie, e cila vizitoi për herë të parë Bashkimin Sovjetik në vitet 1960, kishte shkruar për Rusinë gjatë gjithë jetës së saj. Ajo shkroi pesë libra mbi këtë temë, duke përfshirë ‘Land of the Firebird: The Beauty of Old Russia’, vepër që i bëri shumë përshtypje Presidentit Reagan.

Duke folur për aplikimin e saj në maj për një pasaportë ruse, ajo tha se “arsyeja e vetme pse po ndodh kjo është sepse dua të jem në gjendje të shkruaj librin tim të ardhshëm këtu në Rusi… që të mund të vij lehtësisht, të qëndroj aq gjatë siç duhet, për të bërë punën time.”

Shkrimtarja tha se lëvizja e saj “definitivisht nuk do të shkaktojë” ndonjë zhurmë në SHBA, përkundër tensioneve aktuale midis Uashingtonit dhe Moskës.

“Unë i kam informuar amerikanët që në fillim. Unë nuk e humb shtetësinë time amerikane.”- tha Massie, e cila gjithashtu ka një pasaportë zvicerane. Ajo shtoi se qeveria amerikane e di mirë se “e gjithë puna ime në vitet e fundit ka ndodhur këtu në Rusi; sepse qëllimi im është gjithmonë të përpiqem ta shpjegoj Rusinë më mirë dhe më plotësisht nga sa e dinë shumë amerikanë.”

Qytetarët amerikanë duhet të edukohen për Rusinë dhe rusët, shtoi ajo, pasi “të dy popujt janë shumë të përshtatshëm për njëri-tjetrin… Pikëpamja ime personale është se është më e rëndësishme se kurrë që SHBA dhe Rusia të zhvillojnë një marrëdhënie konstruktive, sepse mendoj nëse ne mund ta bëjmë këtë – dhe shpresoj se mundemi – do të jetë më mirë për të gjithë botën.”

Massie ishte e vetmja grua në administratën e Reaganit, me drejtuesin e saj që e vlerësonte shumë kontributin e saj për Rusinë. Ajo tha se presidenti i lexoi të gjithë librat e saj dhe në përgjithësi ishte një lexues i zjarrtë, në kundërshtim me përpjekjet e mediave për ta portretizuar atë si një ish-aktor të pashkolluar.

“Ai ishte me të vërtetë një gjeni.”– tha ajo për Reaganin, duke shtuar se talenti më i madh i burrit ishin ndershmëria dhe interesimi i tij i madh për njerëzit. “Ai ishte i ndjeshëm dhe kushdo mund të fliste me të.”

Megjithatë, Massie punoi si këshilltare e tij në cilësinë e një qytetari privat dhe nuk ishte kurrë me rrogë. Ajo tha se nuk donte të paguhej sepse ishte e rëndësishme për të që të qëndronte “e pavarur” dhe për këtë citoi një thënie zvicerane: “Kushdo që paguan vendos edhe melodinë”.