Presidenti i SHBA-ve Joe Biden dhe ai homologu i tij rus Vladimir Putin kanë shkëmbyer paralajmërime mbi krizën në Ukrainë gjatë një telefonate 50-minutëshe që bëri pak për të ulur temperaturën politike, sipas qeverive të tyre.
Rusia ka alarmuar SHBA-të dhe aleatët e saj në NATO pasi grumbulloi dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën gjatë dy muajve të fundit. Kjo pason aneksimin e gadishullit të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014 dhe mbështetjen e separatistëve në Ukrainën lindore.
Bisedimet e së enjtes, të kërkuara nga Putin, ishin biseda e dytë e liderëve këtë muaj, por, tha Shtëpia e Bardhë, konsistonin në rishfaqjen e qëndrimeve të të dy burrave – duke përfshirë paralajmërimin e Biden për pasoja të rënda nëse Putin vendos të pushtojë.
“Presidenti Biden i kërkoi Rusisë të çpërshkallëzojë tensionet me Ukrainën”, tha Jen Psaki, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, në një deklaratë. Ai e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj do të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”.
Në një video-konferencë me gazetarët, një zyrtar i lartë i administratës shtoi se Biden kishte përcaktuar “dy rrugë”: atë të diplomacisë dhe çpërshkallëzimit dhe tjetrën atë të parandalimit “duke përfshirë kostot dhe pasojat serioze” si sanksionet ekonomike, forcimi i qëndrimit të forcës dhe ushtrisë së NATO-s në ndihmë për Ukrainën.
Kremlini, ndërkohë, këmbënguli se Putini e kishte përdorur thirrjen për të lëshuar një kërcënim të tijin, duke i thënë Bidenit se sanksionet e reja mund të prishin totalisht lidhjet midis Rusisë dhe SHBA-së dhe të përfaqësojnë një gabim kolosal.
Yuri Ushakov, këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, që u citua nga agjencia e lajmeve Reuters tha: “Presidenti ynë u përgjigj menjëherë se nëse Perëndimi vendos në këtë ose rrethana të tjera të vendosë sanksione të paprecedenta që janë përmendur, atëherë kjo mund të çojë në një prishje të plotë në lidhjet mes vendeve tona dhe do shkaktonte dëmin më të rëndë në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit”.
Ushakov shtoi: “Presidenti ynë përmendi gjithashtu se do të ishte një gabim që pasardhësit tanë do ta shihnin si një gabim të madh“.
Moska nga ana tjetër kërkoi garanci ligjore për moszgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në Lindje.
“U theksua se rezultati i punës së përbashkët duhet të jenë garanci të forta ligjore që përjashtojnë avancimin e NATO-s në lindje dhe vendosjen e sistemeve të armëve kërcënuese në afërsi të kufijve rusë. U theksua se siguria e çdo vendi mund të sigurohet vetëm në bazë të respektimit të rreptë të parimit të pandashmërisë së sigurisë“, raportohet në shërbimin për shtyp të Kremlinit, përcjell Agjencia e lajmeve ruse TASS.
Gjatë bisedës u shpreh gatishmëria reciproke për një dialog serioz dhe kuptimplotë për çështjet e përcaktuara. U konfirmua se bisedimet do të zhvillohen fillimisht në Gjenevë më 9-10 janar, më pas në kuadër të Këshillit Rusi-NATO në Bruksel më 12 janar dhe më 13 janar do të fillojnë diskutimet në kuadër të OSBE-së. “Presidentët ranë dakord të mbajnë nën kontroll personal rrjedhën e diskutimeve në binarët e negociatave të sipërpërmendura, dhe veçanërisht në një format dypalësh – me synimin për arritjen sa më të shpejtë të rezultateve konkrete”, theksoi shërbimi për shtyp i presidentit rus dhe shtoi se në këtë kontekst, Joseph Biden “theksoi përgjegjësinë e veçantë të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për sigurimin e stabilitetit në Evropë dhe në botë në tërësi, si dhe faktin se Uashingtoni nuk ka synime të vendosë armë sulmuese sulmuese në territorin e Ukrainë.”/Hashtag.al
*Përgatiti për Hashtag.al, Klaudio Agolli. Burimi: The Guardian dhe TASS