Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret përfshijnë Koloradon, mijëra njerëz detyrohen të lënë banesat


Dhjetëra mijëra njerëz janë evakuuar dhe qindra shtëpi janë shkatërruar pas përhapjes së zjarreve që kanë përfshirë shtetin amerikan të Kolorados.

Zyrtarët thonë se ka të ngjarë të ketë viktima dhe të lënduar pasi flakët përhapen më tej.

Rreth 30 mijë njerëzve në qytetet Louisville dhe Superior iu kërkua të largoheshin nga shtëpitë e tyre të enjten.

Ndërkohë, gjendje e jashtëzakonshme është shpallur nga Guvernatori Jared Polis.

“Ky zjarr nuk është aq shumë çështje burimesh.”-tha ai në një konferencë për shtyp. “Ky zjarr është një forcë e natyrës.”

Ai shtoi: “Shpresojmë që erërat të shuhen, që moti të ndryshojë. Por për ata që preken drejtpërdrejt, dijeni se nuk jeni vetëm”.

Erërat që arrijnë deri në 169 km/orë, po ndihmojnë flakët të përhapen në të gjithë rajonin pas një thatësire historike.

BBC shkruan se ndërsa zjarret e mëparshme në Kolorado kanë qenë në zonat rurale, këto zjarre të fundit po ndodhin në më shumë pjesë periferike të shtetit.

Të paktën disa zjarre u ndezën kur linjat e energjisë u rrëzuan nga erërat e forta dhe ato janë kthyer shpejt zjarret më shkatërruese në historinë moderne të shtetit.

Një video e publikuar në rrjet jashtë një supermarketi tregoi një skenë dramatike teksa erërat shpërthyen nëpër parkingun e makinave.