Vendosni fjalën kyçe....

Kapja e 119 kg kokainë në Vaqarr, hije dyshimi pse policia u lajmërua 10 orë me vonesë


Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Marson Murataj, menaxherin e kompanisë BANA KING dhe dy shoferëve Hasan Saliaj dhe Gëzim Kalaja, të dyshuar për trafik droge në bashkëpunim nga Ekuadori drejt vendit tonë, pasi në njërin nga kontenierët me banane u sekuestrua një sasi prej 119 kg kokainë e fshehur në shtatë arka.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë prokuroria ngriti dyshime të forta për përfshirjen e tre te arrestuarve ne trafik, përfshirë dhe menaxherin e kompanisë, ndërsa rindërtoi të gjithë ngjarjen.

Sipas News 24, rezulton se sipas dosjes më datë 28 dhjetor 2021 në orën 18.30 shoferi Hasan Saliaj ka shkuar me kamionin me targa AA126 RE në portin e Durrësit për të marrë kontejnerin me banane që kishte ardhur nga Ekuadori në portin Gioa Tauro në Itali me destinacion final ambientet e kompanisë Zico në Vaqarr.

Ai pretendon se në Romanat 4 persona të maskuar i kanë dalë përpara dhe njëri prej tyre i ka thënë: ”Jemi shteti, hap krahun”. Shoferi thotë se ky person hyri në kabinën e kamionit dhe e kërcënoi “mbylle gojën se do të zhduk familjen po hape gojën”. Ndërsa 3 persona të tjerë për 30 minuta kanë kontrolluar kamionin, duke e kthyer përmbys, por janë larguar pa marrë asgjë.

Por në vend që ta raportonte ngjarjen, pikëpyetje e madhe është që shoferi nuk njoftoi policinë, por sistemoi arkat me banane, mbylli kamionin dhe njoftoi kolegët se i ishin shpuar dy goma. Për ti ardhur në ndihmë, në Romanat ka shkuar shoferi tjetër Gëzim Kalaja. Pasi janë ndërruar gomat, Saliaj e ka çuar kamionin në kompani. Arsyet se përse nuk ka treguar çfarë kishte ndodhur dhe informoi një ditë më vonë.

Kur polici ndërhyri, zbuloi se në 7 arka ishin fshehur në pjesën e poshtme të tyre, 100 pako me lëndë narkotike kokainë. Kontejneri me banane kishte ardhur nga Ekuadori, në Italia autoritetet kishin konstatuar se i mungonte plumbçja. Pasi e kanë ndërruar, kontejneri ka vijuar rrugën për në Shqipëri, deri në ambientet e kompanisë Bana King, ku dhe u zbulua droga.