Vendosni fjalën kyçe....

Alo policia, hajde na ndihmo të shkarkojmë 20 tonë banane!


Nga Anila Hoxha

Sekuestrimi i 119 kilogramë kokaine që solli arrestimin e 3 personave, midis tyre shoferi dhe  të punësuar në kompaninë Zico ka aq shumë përplasje faktesh saqë të bind se gjithçka lidhet me trafikun e drogës ndodh në një mjedis të kompromentuar, me një njësi antidroge që duket se është krejt jashtë aktualitetit. Ose trafikantët përtonin të shkarkonin 20 tonë me banane dhe ndaj telefonuan policinë e cila pasi autorizoi punëtorët e ngarkim shkarkimit dëgjoi ankesat e tyre se ca arka peshonin më pak dhe përveshi mëngët e kqyri 100 arka. Ata e telefonuan policinë që të shkonte në Vaqarr mbasi kishin ndodhur ca ngjarje të çuditshme ndërkohë dhe policia nuk ishte kurrkund. Ose sërisht trafikantët mes tyre shoferi, mbasi u menduan dhe u këshilluan me bossin e firmës shtetasin T.M, që jeton në USA vendosën të ishin “policë”.  Po të besosh dosjen, tregohet se ky i fundit telefonoi zyrtarë policie duke i treguar se me ngarkesën e bananeve kishte vërejtur disa parregullsi.  Pa ironi për të qenë të saktë, në datën 28 dhjetor 2021 sipas menaxherit të shitjeve M.M në burg, menjëherë sapo kamioni me 20 tonë banane doli nga porti në afërsi të një pike karburanti në Romanat shoferit edhe ai në burg i bënë shenjë ca njerëz të maskuar që të ndalonte.

‘Ata ishin 4 veta – thotë shoferi, ishin me bluza dhe kapucë, dhe pastaj i kanë thënë: jemi shteti, hape krahun. Mbasi e kërcënuan “mbylle gojën se do të zhduk po hape gojë.”- ata kanë kaluar në pjesën fundore të kontenierit, kanë qëndruar aty rreth 30 minuta dhe kanë kontrolluar.

Shoferi ka vijuar udhëtimin me avari të tjera mbasi zbritën “pasagjerët”e çuditshëm si dëmtimi i gomës. Një ditë më pas në 29 dhjetor, ai njofton menaxherin e shitjeve i tregon fije për pe çfarë i ndodhi madje duke i rrëfyer edhe se si pati probleme me gomat. Në këtë datë punëtorët ndalohen që të ndërpresin shkarkimin e bananeve mbasi ngarkesa kishte probleme. Por ndërsa u njoftuan zyrtarët e policisë ajo mbërriti një ditë më pas, pra në 30 dhjetor. Në prani të policisë punëtorët kanë nisur shkarkimin e ngarkesës, teksa kanë treguar se disa janë më pak të rënda se të tjerat. ‘Punonjësit e policisë – thuhet në dosje – duke parë vërejtën se poshtë 7 arkave ishin disa pako drejtkëndëshe që u kuptua që ishte drogë”.

Me pak fjalë kjo është historia e zbulimit të 119 kilogramë me kokainë të dërguar sërisht nga Ekuadori,  që edhe në filmin më të dobët me trafikantë dhe policë nuk ngjan aspak si aksion, por si komedi. Trafikantët e kokainës që e kanë kthyer vendin tonë në një vend të sigurtë të futjes së ngarkesave me kokainë janë konsoliduar e sofistikuar. Ky është një fakt që bërtet! Por kur çështjeve nuk u shkohet deri në fund do ketë histori si kjo e aksionit Romanati. Çështje të pahetuara duke nisur nga rrëmbime për pengje droge si Jan Prenga, për të cilin Gentian Doçi nuk u prangos asnjëherë, për të shkuar tek operacione të dështuara ku trafikantët arrijnë “të vënë kollare”, duke lënë vetëm GPS  e duke vjedhur kokainën si kjo e fundit, tregojnë se trafikantët hyjnë në port e vjedhin ngarkesat. Ose ata janë mjaftueshëm përpara autoriteteve dhe mbas humbjes së ngarkesës janë vënë në kërkim të klanit tjetër.

Ata shënjojnë me veprime të organizuara, pra nëse dëmi ka ndodhur rrugës Ekuador- Shqipëri, ata veprojnë rrugëve. Aty ku policia këmbëngul se e mbulon territorin 100 përqind. Ndalojnë kamionë kontrollojnë në rast se droga është vjedhur në një port tjetër dhe mandej zbresin. Përse ca trafikantë nëse rrëfimi është i vërtetë, e ndaluan makinën? Nga kush ka frikë biznesmeni që administron kompaninë e bananeve? Ka vetëm një përgjigjje, çdo veprim i vonuar, arrestim dhe dërgim në burg me synimin që provat të gjenden më pas, janë një këmbanë për autoritetet. Ky hetim nuk është as një përqind e historive të narkotrafikut që janë ulur këmbëkryq, vjedhin ngarkesa, mbajnë pengje, vrasin ashtu si polcia i quan për hesape jashtë vendit dhe në fund trafikantët vijojnë të paprekur.