Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Berisha nuk ka moralitet në këtë ndërmarrje antidemokratike, protesta do dështojë


Nga PD-ja zyrtare, reagimet për protestën e thirrur nga Sali Berisha më 8 janar janë rreshtuar njëra pas tjetër.

Këtë herë ka qenë nënkryetari Enkelejd Alibeaj i cili thotë se Berisha nuk ka moral në ndërmarrjen antidemokratike që ka nisur.

Ai thotë se protesta do dështojë pasi po tentohet të merret peng PD-ja në interes të një njeriu të vetëm.

Nuk ka asnjë protestë të vërtetë të shtunën. Janë klithma të zbehta të një agonie politike, në të cilën duan të tërheqin edhe demokratët. Sali Berisha nuk ka moralitet në këtë ndërmarrje antidemokratike.

Prej gati 4 muajsh është bërë çdo gjë që të zhvendoset objektivi i PD nga përballja me regjimin e Edi Ramës në një luftë të brendshme kundër Lulzim Bashës, për dobësimin e PD dhe të demokratëve.

Pseudoprotesta do të dështojë, si çdo përpjejke tjetër e deritanishme për të marrë peng PD-në për interesin e një njeriu të vetëm!

Është koha që Berisha të shkojë në shtëpi! Të lërë demokratët të fokusohen në të vetmen betejë të vërtetë, atë me regjimin e korruptuar të Edi Ramës për t’i dhënë vendit sa më parë një qeverisje të mirë dhe të drejtë!”-shkruan Alibeaj.