Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar për protestën e thirrur nga Sali Berisha më 8 janar.
Bardhi shkruan se rreziku për bunkerizimin e PD-së vjen nga ata që shpalljen non grata të Berishës kërkojnë ta transferojnë te demokratët.
Numri i dy i PD-së shton se protestë kundër lyerjes së godinës mund ta thërrasë vetëm dikush që ka humbur arsyen.
“Ka vetëm një rrezik për bunkerizimin e PD. Ai nuk vjen as nga adezivët me logon e PD, as nga risistemimi i disa ambjenteve të punës për sekretariatin e PD. Rreziku për bunkerizimin e PD vjen nga kushdo që shpalljen nongrata të Sali Berishës nga SHBA kërkon ta transferojë tek çdo demokrat.
Histeria me brava dhe blinda është një histori e dështuar dhe qesharake. Quhet mjerim kolektiv! Njësoj si qëllimi i të ashtuquajturës protestë kombëtare, ku demokratët ftohen të protestojnë kundër Partisë Demokratike!
Protesta kombëtare kundër lyerjes së godinës së PD, në oborrin e PD, mund të thërrasë vetëm dikush që e ka humbur arsyen nga një hall i madh. Kjo nuk u shërben demokratëve, por i shërben vetëm Edi Ramës, dhe është vijim i talljes disa mujore me demokratët dhe sakrificën e tyre”-shkruan Bardhi në Twitter.