Partia Demokratike reagoi me një deklaratë për mediat sot, ku thuhet se partia më e madhe opozitare në vend nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9.
ABC u interesua pranë selisë blu dhe ka mësuar se deklarata i referohet një biznesmeni të njohur në Tiranë, Myftar Lumeshi, i cili është parë të shoqërojë Sali Berishën sa herë ky i fundit ka qenë në selinë e PD.
Biznesmeni i njohur rezulton se është shpallur non-grata nga Britania e Madhe në Mars të 2021 dhe është nën hetim, së bashku me 8 anëtarë të tjerë të grupit kriminal, për përfshirje në trafikun e sasive të mëdha të drogës në Europë dhe Britaninë e Madhe.
Ky është një tjetër rast i evidentuar nga PD, pas personit që shkelmojë dyert e Partisë Demokratike në 21 Dhjetor, Fatjon Dautaj, i cili sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe, është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave. Pas sulmit në PD, Fatjon Dautaj është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Abc News