Gjyqtari Luan Daci ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta dënuar atë me gjashtë muaj burg për falsifikim dokumentesh.
Daci ka akuzuar GJKKO-në se ka bërë një ‘shpikje juridike’ duke e dënuar atë për ‘Falsifikim Intelektual’, një vepër penale që sipas tij nuk ekziston fare në legjislacionin penal shqiptar.
“Jam dënuar për një ‘vepër penale’ të quajtur nga GJKKO ‘Falsifikim Intelektual’, që NUK EKZISTON FARE NË LEGJISLACIONIN PENAL SHQIPTAR! Pikërisht, kjo shpikje juridike, kjo normë e krijuar, si nga Prokuroria e SPAK, ashtu edhe nga Gjykatat Penale të Posaçme, është shkaku i parë, fenomeni i parë juridik, për të cilin unë kam thirrur këtë konferencë dhe dëshiroj të informoj opinionin qytetar, mediat dhe opinionin ligjbërës shqiptar, se në vendimin penal ndaj meje, prokurorët dhe disa gjyqtarë të kësaj çështjeje (gjyqtarja e GJKKO-së së Shkallës së Parë, dy gjyqtare të GJKKO-së së Apelit dhe dy gjyqtarë të Gjykatës së lartë, në shkelje të hapur të Ligjit Themelor të shtetit shqiptar, që është Kushtetuta, sipas Nenit 145/1 të saj, jo vetëm nuk i janë nënshtruar ligjit dhe Kushtetutës, siç urdhëron për ta kjo normë kushtetuese, por kanë shpikur normë ligjore, duke marrë kështu atributet e organit më të lartë të pushtetit shtetëror, që është Kuvendi i Shqipërisë (pushteti legjislativ)!”– u shpreh Daci.
Kështu Daci pretendon vendimi për ta dënuar atë është ndërmarrë pa fakt penal, pa vepër të parashikuar në legjislacionin penal shqiptar si vepër penale.
Ish-gjyqtari u akuzua se kishte falsifikuar dokumentet, pasi nuk ka treguar shkarkimin nga detyra në ’97. Gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 6 muaj burg Luan Dacin, por atij iu konvertua në 12 muaj shërbim prove.