Partia Demokratike i është përgjigjut Komisionit të Rithemelimit përmes një njoftimi për mediet, ku ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet se po përgatitet të sulmojë selinë blu, por theksohet se kjo parti nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë ish-kryeministrin.
Në njoftimin e PD-së thuhet se Berisha se me gjuhën dhe aktet e tij ka si qëllim të nxisë dhunën por se demokratët e bënë zgjedhjen e tyre në Kuvendin e 18 dhjetorit.
“Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve. Çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e tij kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur. Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9. Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojërat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve. Kurrë më!
Shumica dërrmuese e anëtarëve të Kryesisë së Partisë, Këshillit Kombëtar dhe 5004 delegatë të Kuvendit Kombëtar, më 18 Dhjetor zgjodhën të ardhmen, zgjodhën t’i shërbejnë interesit të demokratëve, zgjodhën t’i shërbejnë vetëm interesit të Shqipërisë. Ne jemi krenarë që jemi partia e parë politike në Shqipëri dhe Rajon që i bashkohet nismës botërore të SHBA për të mbajtur jashtë vendimmarrjes në institucionet e partisë personat e shpallur non-grata për korrupsion, abuzim me pushtetin apo përfshirje në krimin e organizuar.
Kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të Partisë Demokratike, por të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriget dhe zyrat e tyre. Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillim viti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë. Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista.”- thuhet në mesazhin e Partisë Demokratike.
Ky reagim erdhi pas një njoftimi të mëparshëm nga Komisioni për Rithemelimin e PD-së që e ka quajtur një akt turpi e paniku forcimin e masave të sigurisë në selinë blu.
Në një deklaratë zyrtare, komisioni i drejtohet kreut të PD-së Basha duke e quajtur atë deputet dhe duke e akuzuar se po vijon me avazin e vjetër të izolimit.
Sipas komisionit, Basha ka vendosur ta kthejë PD-në në bunkerin e vetmisë e pazareve të tij.