Policia e Shtetit ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në ‘Don Bosko’, ku bëhet me dije se numri i të plagosurve është katër dhe jo tre siç u raportua fillimisht në media.
I vrarë me armë zjarri mësohet se ka mbetur Erion Çela, 35 vjeç. Ndërkohë personat që kanë mbetur të plagosur janë: Arben Dani 46 vjeç, i dëmtuar në këmbë; Azbi Selimaj 19-vjeç i dëmtuar në shpatull; Blerim Çela 28-vjeç i dëmtuar në këmbën e djathtë dhe në fytyrë, vëllai i viktimës; Edmond Crroj 41 vjeç, i plagosur në bark dhe këmbë.
Pesë miqtë që po pinin kafe në zonën e “Don Boskos” jane qëlluar nga një automjet tip “Mercedes Benz” me targa AA125UK.
“Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në ‘Don Bosko’, në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.
Si pasojë e të shtënave, shtetasi E. Ç., 35 vjeç ka humbur jetën, dhe janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip ‘Mercedes-Benz’.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Ngjarja e rëndë ka shënuar edhe viktimën e parë për 2022 nga një atentat./ Hashtag.al